Në darkën tradicionale me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka vetëm një plan – anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Duke bërë një përmbledhje të qëndrimeve të qeverisë, Rama deklaroi se ky synim është i padevijueshëm dhe përfaqëson vullnetin e të gjithë shqiptarëve.
“Shqipëria nuk ka plan B. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka që anëtarësimi në BE të bëhet realitet,” tha kryeministri, duke theksuar mbështetjen për vlerat euroatlantike, liritë individuale dhe shtetin e së drejtës.
Deklaratë për zgjedhjet e ardhshme
Në një moment më të lehtë, Rama me humor tha se ka një ide të qartë për fituesin e zgjedhjeve të ardhshme, duke shtuar se, pavarësisht rezultatit, shqiptarët do të vazhdojnë të mbështesin parimet demokratike dhe rrugën drejt BE-së.
Rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe global
Rama theksoi gjithashtu nevojën për miqësi dhe bashkëpunim me vendet përtej kufijve të Europës demokratike, duke përmendur lidhjet e ngushta me vendet e Gjirit. Ai shtoi se marrëdhëniet me këto vende duhet të forcohen më tej, pavarësisht ndryshimeve në sistemet politike.
Kjo darkë diplomatike vjen në prag të një viti të rëndësishëm zgjedhor, ku mesazhi kryesor i qeverisë shqiptare mbetet përkushtimi ndaj integrimit evropian dhe forcimit të aleancave globale.