Një influencuese e njohur nga Sunshine Coast, Australi, është akuzuar për torturimin e një vajze njëvjeçare, duke postuar video të saj me qëllim marrjen e donacioneve dhe rritjen e ndjekësve në rrjetet sociale.
Policia e Queensland ka bërë të ditur se 34-vjeçarja i ka administruar foshnjës disa medikamente të paautorizuara gjatë një periudhe tre mujore, duke dokumentuar përmes postimeve në rrjetet sociale një sëmundje terminale të pretenduar të fëmijës.
Hetimet dhe arrestimi
Sipas autoriteteve, gruaja dyshohet se ka siguruar medikamentet në mënyrë të paligjshme dhe ka fshehur veprimet e saj duke përdorur ilaçe të mbetura nga një anëtar tjetër i familjes. Abuzimi i pretenduar u zbulua më 15 tetor, kur vajza u shtrua në një spital të Brisbane për shkak të një episodi të rëndë mjekësor.
Pas hetimeve të gjera nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Hetimeve (CPIU), gruaja u arrestua të enjten në mëngjes në një shtëpi në Underwood.
Akuzat
Gruaja përballet me këto akuza:
Pesë akuza të administrimit të helmit me qëllim dëmtimi,
Tre akuza të përgatitjes për kryerjen e krimeve me mjete të rrezikshme,
Një akuzë torturimi,
Një akuzë krijimi materiali shfrytëzues për fëmijë,
Një akuzë mashtrimi.
Deklarata e autoriteteve
Inspektori i Hetimeve, Paul Dalton, e quajti këtë rast “të neveritshëm” dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimet e tilla.
“Nuk ka asnjë justifikim për dëmtimin e një fëmije, veçanërisht të një foshnjeje njëvjeçare, e cila varet plotësisht nga të tjerët për kujdes dhe mbijetesë,” deklaroi Inspektori Dalton.
Policia raportoi gjithashtu se gruaja ka mbledhur rreth 60,000 dollarë australianë përmes platformës GoFundMe, ndërsa kjo e fundit po përpiqet t’i kthejë fondet donatorëve.
Gruaja pritet të dalë përpara Gjykatës Magjistrale të Brisbane të premten, ku do të ballafaqohet me akuzat që rëndojnë mbi të.
FAQJA KRYESORE BOTA Influencuesja e njohur akuzohet për torturimin e një foshnjeje për përfitime monetare...