Këto ditë në rrjetet sociale, sidomos në SHBA, po qarkullon si flakë një dokumentar i titulluar Plandemic. Në qendër është një shkencëtare e quajtur Judy Mikovits.
Ajo hedh akuza të rënda ndaj kompanive të mëdha farmaceutike dhe establishmentit shëndetësor në SHBA, kryesisht ndaj Anthony Fauci, njeriut që drejton task-forcën e SHBA për koronavirusin.
Por ajo flet në dokumentar edhe për atë që ndodhi në Itali, vendi që u godit shumë rëndë nga koronavirusi i ri.
“Italia ka një popullsi shumë të vjetër. Ata janë shumë të sëmurë me çrregullime inflamatore. Në fillim të vitit 2019, ata morën një vaksinë të patestuar për një formë të re gripi që kishte katër variacione të ndryshme, mes tyre edhe patogjenin H1N1. Vaksina ishte rritur në një linjë qelizash, në një linjë qelizash qeni. Qentë kanë shumë koronaviruse,” thotë ajo.
Por sa qëndron kjo? ScienceMag shkrua se nuk ka asnjë provë që lidh vaksinën e gripit, apo koronaviruset e qenit me epideminë e Covid-19 në Itali.