Mbi 35 mijë dosje në pritje, Gjykata e Lartë nis me gjoba për rekurset e pabaza

0

Emërimi i tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë riaktivizoi shqyrtimin e çështjeve në Dhomën e Këshillimit. Nga marrja e detyrës prej tyre janë shpallur 35 vendime. Mes të tjerash gjyqtarët e rinj po aplikojnë edhe gjobat për personat që kanë abuzuar me të drejtën për të bërë rekurs.

Aktualisht në këto Dhoma Këshillimi me trupa tre anëtarëshe shqyrtohen rekurset që kanë në thelb mosmarrëveshjet për juridiksionin, kompetencën, si edhe pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Ndonëse ka nisur shkundja nga pluhuri e dosjeve të stivuara prej vitesh, numri minimalist i gjyqtarëve në detyrë nuk garanton ritëm të lartë.

Sipas burimeve pranë Gjykatës së Lartë, pasi gjyqtarët Sokol Sadushi, Ervin Pume dhe Ilir Panda nisën punën janë shpallur 35 vendime në Dhomë Këshillimi. Në disa prej këtyre shqyrtimeve, anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë kanë nisur të zbatojnë një nga nenet e ndryshuara të Kodit të Procedurës Civile, për vendosjen e gjobave ndaj palëve që paraqesin rekurse haptazi abuzive.

I tillë është ky rast, ku pasi tre gjyqtarët kanë vlerësuar se kërkuesi ka abuzuar me të drejtën për të bërë rekurs, e kanë gjobitur me 50 mijë lekë. Nga ana tjetër, problemi kryesor Gjykatën e Lartë mbetet i njëjti.

Për të shqyrtuar dosjet në themel, trupa e Gjykatës së Lartë duhet të ketë së paku 5 anëtarë. Ditën që do t’i ketë, do të niset me gjykimin e dosjeve të vitit 2016, vit ku ka ngecur radha e shqyrtimit.(A2)

Artikulli i mëparshëmRama: Aplikimi për ID dhe pasaporta do të bëhet online
Artikulli i radhësOBSH: Edhe pse vendet po hapen, rreziku mbetet ende prezent