Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka bërë të ditur se është kërcënuar sërish përmes rrjeteve sociale.
Përmes një postimi në Facebook, Zeqiri ka deklaruar se ky është kërcënimi i katërt nga i njëjti person, të cilin ai e identifikon si të lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).
“Ky qyqar (KUKAVIC) i MUP-it të Serbisë më kërcënon me vrasje dhe më ofendon heronjtë dhe figurat historike të popullit shqiptar. Ky frikacak i ndyrë nuk ka guxim të përballet me mua, por më kërcënon përmes rrjeteve sociale,” ka shkruar ai.
Kërcënimet ndaj kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës janë rritur në muajt e fundit, veçanërisht pas tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e sovranitetit dhe sigurisë në këtë rajon të ndjeshëm.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet e Kosovës apo nga institucionet ndërkombëtare mbi këtë rast.