Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ajola Xoxa, ka dorëzuar një ankimim në gjykatë kundër kontrollit të ushtruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në ambientet e një apartamenti në Sky Tower, në zonën e Bllokut.
Përmes avokatit të saj, Xoxa ka kundërshtuar ligjshmërinë e kontrollit të datës 14 janar, duke argumentuar se ambienti i regjistruar si apartament përdorej në fakt si magazinë për ruajtjen e sendeve personale.
Kontrolli u krye me urdhër të prokurorit të SPAK, Ols Dado, si pjesë e hetimeve për një çështje që përfshin edhe kryebashkiakun Erion Veliaj. Sipas burimeve, nga ky kontroll janë sekuestruar disa materiale që mund të shërbejnë për hetimin.
Më herët, hetuesit kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën dhe zyrën e Arbër Veliajt, si dhe kanë kryer një kontroll personal ndaj Ajola Xoxës, gjatë të cilit i është sekuestruar telefoni celular.
Procesi i kontrollit u autorizua nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, ndërsa Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë pyetur për rreth pesë orë nga hetuesit e SPAK për këtë çështje. Për momentin, SPAK nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi akuzat ose objektin e hetimit.