
Një mbledhje e rëndësishme e qeverisë dhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste u zhvillua në Pallatin e Brigadave, duke zgjatur rreth 7 orë, nga ora 13:00 deri në 19:55.
Në fokus të diskutimeve ishin prioritetet qeveritare, investimet dhe strategjia elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Fushata e PS këtë vit do të ketë një risi: ndërkombëtarizimin e saj, me takime elektorale jashtë Shqipërisë, kryesisht në Greqi dhe Itali, ku janë regjistruar për të votuar rreth 100 mijë emigrantë.
Lëvizja drejt diasporës do të përfshijë kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit politikë të PS, të cilët do të zhvillojnë takime për të kërkuar mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Premtimet elektorale të ministrave do të bazohen në programin e PS, i cili është përgatitur duke përputhur angazhimet e qeverisë qendrore me ato të pushtetit lokal, për të synuar mandatin e katërt qeverisës.
Një nga elementët kyç të fushatës pritet të jetë slogani:
“Me ne në BE, me ata në kënetë?”, duke e pozicionuar integrimin në Bashkimin Europian si kartën kryesore të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.