Chris LaCivita merr drejtimin e fushatës së opozitës shqiptare: “Berisha mik i vërtetë i SHBA-ve, Rama kukull e Soros”

0

Chris LaCivita, bashkëdrejtuesi i fushatës së fundit zgjedhore të Donald Trump, do të udhëheqë fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet politike të 11 majit. Ai u prezantua zyrtarisht nga Sali Berisha në një takim me drejtuesit e partive opozitare, ku theksoi lidhjet mes PD-së dhe konservatorizmit amerikan.

LaCivita: Berisha është mik i vërtetë i SHBA-ve, Rama një vegël e Soros

Në fjalën e tij, LaCivita deklaroi se Edi Rama nuk mund të jetë njëkohësisht mik i SHBA-ve dhe i George Soros, duke pretenduar se familja Soros ka humbur ndikimin e saj në Uashington. Sipas tij, Berisha mbetet një aleat i vjetër dhe i besueshëm i SHBA-ve, ndërsa qeveria aktuale ka përdorur metoda autoritare për të shtypur opozitën.

“Ne jemi këtu sepse duam të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA-ve, që do të punojë me Presidentin Trump dhe administratën e tij,” – u shpreh ai.

Paralelizmat mes Berishës dhe Trump

LaCivita krahasoi situatën politike në Shqipëri me atë në SHBA, duke thënë se Berisha dhe opozita shqiptare po përballen me të njëjtat sfida si Trump. “Ashtu si Trump dhe shumë opozitarë në SHBA, Berisha është ndjekur penalisht dhe persekutuar padrejtësisht nga një qeveri që nuk respekton demokracinë,” – tha ai.

Sipas tij, qeveria e Ramës po përdor drejtësinë për të ndaluar opozitën, ndërsa liderët e saj po arrestohen, mbahen në arrest shtëpie dhe frikësohen nga pushteti aktual.

Mesazhi për zgjedhjet e 11 majit

LaCivita përfundoi duke theksuar se Partia Demokratike ka një program të fortë për “shpëtimin e Shqipërisë” dhe se fushata e saj do të synojë të rikthejë vendin në rrugën e demokracisë. “Ne jemi këtu për të ndihmuar që t’i japim fund kësaj situate”, – deklaroi ai.

Ky zhvillim pritet të ketë një ndikim të madh në fushatën e 11 majit, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë mbështetja e një strategu të rëndësishëm të Trump-it në elektoratin shqiptar.

Artikulli i mëparshëmKush do të drejtojë Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt? Tre skenarët e mundshëm
Artikulli i radhësRama reagon për arrestimin e Veliajt: “U mor nga zyra dhe u mbyll në qeli pa gjyq”