Edhe kampionati gjerman i futbollit ësshtë goditur rëndë prej shpërthimit të koronavirusit, me disa klube që rrezikojnë deri edhe falimentin. Liga Gjermane e Futbollit përshpejton planet për rifillimin e kampionatit, pasi sipas revistës gjermane ‘Kicker’ parashikohet që ndeshjet e javës së 26 të zhvillohen në fundjavën e parë ose të dytë të majit, ndërsa 9 javët e mbetura të luhen brenda 30 qershorit me nga 1 ndeshje në mesjavë dhe 1 në fundjavë.
Por në këtë pikë, duhet që Liga të marrë miratimin e qeverisë dhe autoriteteve shëndetësore gjermane për zhvillimin e sfidave që do të jenë me dyer të mbyllura, dmth pa tifozë. Të 36 klubet e Bundesligës dhe Bundesliga 2 e kanë pranuar këtë plan në asamblenë e fundit të përgjithshme të shtyrë nga domosdoshmëria për të mos humbur përfitimet nga të drejtat televizive. Gjithnjë sipas Kicker, në Bundesliga 2, 9 klube nga 18 mund të detyrohen të shpallin falimentin në maj-qershor nëse nuk do të rifillojë kampionati dhe si pasojë do të humbasin këstin e fundit nga e drejta televizive.