
Autoritetet turke kanë ndërmarrë një valë arrestimesh kundër mbështetësve të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili u ndalua një ditë më parë nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.
Arrestime pas postimeve “provokuese” në rrjetet sociale
Sipas Ministrisë së Brendshme të Turqisë, 37 persona u arrestuan për postime që “nxisin krim dhe urrejtje”, ndërsa autoritetet po gjurmojnë edhe 224 të dyshuar të tjerë. 18.6 milionë postime lidhur me arrestimin e Imamoglut u shpërndanë në rrjetin social X brenda 24 orëve nga ndalimi i tij.
Protesta dhe masa shtypëse
Përveç arrestimeve, autoritete turke ndaluan protestat për katër ditë, bllokuan disa rrugë kryesore dhe vendosën kufizime në qasjen e rrjeteve sociale. Megjithatë, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Stambollit dhe Ankarasë, duke e cilësuar arrestimin e Imamoglut si një tentativë për puç politik.
Konfiskimi i pronave të Imamoglut
Prokuroria e Stambollit ka sekuestruar gjithashtu një kompani ndërtimi të bashkëpronësuar nga Imamoglu, duke marrë kontrollin mbi “Imamoglu Construction, Trade and Industry”, me pretendimin se ka shkelur ligjet financiare.
Imamoglu, rrezik i madh politik për Erdoganin
Kryetari i Bashkisë së Stambollit, i cili shihet si një sfidant i fortë për Erdoganin në zgjedhjet e ardhshme, kryeson në disa sondazhe dhe ka qenë një nga figurat kryesore të opozitës. Arrestimi i tij dhe represioni ndaj mbështetësve të tij po thellojnë krizën politike në Turqi dhe kanë nxitur reagime ndërkombëtare mbi gjendjen e demokracisë në vend.