
Një aksident i zakonshëm në Tiranë zbuloi një rrjet korrupsioni në Policinë Rrugore, ku në qendër rezulton Roven Zeka, ndërsa bashkëshorti i përfshirë ishte nën përgjim nga SPAK për një tjetër çështje.
Një aksident pa viktima, ku ishte përfshirë gruaja e një biznesmeni në Tiranë, është shndërruar në një çështje penale që ka çuar në arrestimin e tre zyrtarëve të Policisë Rrugore, përfshirë edhe shefin e komisariatit rrugor, Roven Zeka.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja nisi disa ditë më parë, kur Edison Tabaku, oficer i Policisë Gjyqësore, mbërriti në vendin e aksidentit për të kryer veprimet procedurale. Gruaja e përfshirë në aksident i ka kërkuar që çështja të mbyllej menjëherë në vendngjarje, duke ofruar edhe një shumë parash në mënyrë që ngjarja të mos referohej në prokurori.
Tabaku, sipas të njëjtave burime, nuk e pranoi ofertën por e adresoi zonjën drejt dy eprorëve të tij – Roven Zekës, shefit të komisariatit rrugor, dhe Sokol Novakut, shefit të aksidenteve, me të cilët zhvilloi biseda telefonike. Pikërisht këto biseda u përgjuan nga SPAK, i cili e kishte vënë nën përgjim bashkëshortin e gruas për një çështje tjetër hetimore.
Nëpërmjet këtyre përgjimeve, SPAK zbuloi një komunikim të drejtpërdrejtë për ofrimin e ryshfetit, me qëllim mbylljen e ngjarjes në favor të gruas së biznesmenit.
Edhe pse ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, burimet pohojnë se të përfshirët janë marrë në pyetje, ndërsa shuma e ryshfetit mbetet e paqartë. Gjithashtu, nuk janë bërë ende publike emrat e të gjithë personave të përfshirë përveç tre zyrtarëve të arrestuar.
Ky nuk është rasti i parë ku hetimet për një person tjetër çojnë në arrestime për skandale të tjera. SPAK prej kohësh ka vendosur në përgjim një numër të madh personash të lidhur me hetime për korrupsion, pastrim parash apo abuzim me detyrën, ku përmes komunikimeve të interceptuara janë zbuluar raste të shumta anësore.
Ngjarja pritet të tronditë edhe më tej strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa SPAK po vijon hetimet në heshtje për të zbuluar të gjithë zinxhirin e përfshirjes në këtë rast të ryshfetit, që nisi nga një incident i vogël rrugor.