Shërbimet Arsimore Kryesuan Rritjen e Shpenzimeve të Familjeve Shqiptare në 1995–2023

0

Nga 12 grupet kryesore të konsumit të familjeve shqiptare, shërbimet arsimore kanë regjistruar rritjen më të madhe të shpenzimeve gjatë tri dekadave të fundit, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në vitin 1995, familjet shqiptare shpenzuan gjithsej 1,6 miliardë lekë për arsimin, ndërsa në 2023 kjo shumë arriti në 32,4 miliardë lekë — një rritje 1855%, duke mos përfshirë indeksimin me inflacionin.

Kjo rritje ndodhi pavarësisht rënies së numrit të fëmijëve, pasi me kalimin në dekadën e dytë të tranzicionit, shërbimet arsimore u diversifikuan ndjeshëm. Deri në 1995, shteti ishte ofruesi i vetëm i arsimit dhe shpenzimet e familjeve përqendroheshin në mjete shkollore.

Pas liberalizimit të ekonomisë dhe lëvizjeve demografike, ofruesit privatë të çerdheve, kopshteve, dhe më vonë edhe universiteteve dhe shkollave private filluan të lulëzonin. Po ashtu, vënia e tarifave në arsimin e lartë publik ndikoi në rritjen e kostove për familjet.

Sipas INSTAT, në vitin 2022 shpenzimet për arsimin u rritën me 17.5% në krahasim me vitin 2021, ndërsa në 2023 rritja ishte rreth 8%. Burimet nga tregu tregojnë se ky trend është ndjekur edhe në 2024, duke prekur më tej buxhetin familjar.

Përkundër rënies së popullsisë së re dhe numrit të studentëve, institucionet private të arsimit të lartë kanë pritur një numër gjithnjë në rritje studentësh. Nga 25,514 studentë në vitin 2016 (17.3% e totalit), në vitin e kaluar numri arriti në 32,300, ose 27.6% të totalit.

Tregu i arsimit të lartë privat arriti në rreth 65 milionë euro në vitin 2022, ndërsa shpenzimet totale të familjeve për arsimin në 2023 u llogaritën në një vlerë të përafërt me 324 milionë euro.


Burimi: Monitor.al

Artikulli i mëparshëmKushtetuesja Rrëzon SPAK: Gazetari Elton Qyno Ka Të Drejtë Të Mbrojë Burimin
Artikulli i radhësTrump U Bind Pas Katolikëve Vance Dhe Rubio: Pse Vendosi Të Shkojë Në Varimin E Papa Françeskut