Gazment Bardhi Ironizon PS: Krushq Me Autobusë Nga Tirana Në Takimet Elektorale Në Fier

0

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka goditur me ironi Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj në jug të vendit, duke publikuar një video ku pretendohet se qytetarë janë sjellë me 15 autobusë nga Tirana për të mbushur takimet elektorale në Fier, Patos dhe Roskovec.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se kjo situatë mund t’i ndodhë vetëm Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, duke e krahasuar mobilizimin artificial të pjesëmarrësve me sjelljen e krushqve në dasmë.

“Të shkosh për takim elektoral në Roskovec, Fier apo Patos me krushq të sjellë me 15 autobusë nga Tirana, kjo mund t’i ndodhë vetëm Edi Ramës dhe Belinda Ballukut!”, shkruan Bardhi.

Ai shtoi me ton kritik dhe sfidues se PS tashmë është e mbaruar dhe se më 11 maj qytetarët do të votojnë numrin 1, duke i dhënë fund, sipas tij, mashtrimeve dhe manipulimeve të mazhorancës:

“Gënjeni veten edhe 12 ditë, se që jeni të mbaruar e ka marrë vesh gjithë Shqipëria! Në 11 Maj qytetarët e kanë ndarë mendjen, votojnë nr. 1!”

Publikimi i kësaj videoje dhe deklaratat e Bardhit vijnë në një kohë tensionesh të larta në prag të zgjedhjeve, ku palët politike po intensifikojnë fushatën dhe retorikën e tyre për të fituar terren elektoral. Ironia e përdorur nga Bardhi pritet të nxisë reagime nga kampi socialist në orët dhe ditët në vijim.

Artikulli i mëparshëmOperacion “Top Sekret” Në Ksamil: Policia Në Ndjekje Të Personave Me Rrezikshmëri Të Lartë
Artikulli i radhësSi Grupi i Suel Çelës Ekzekutoi “Kasafortën” e Ardian Çapajt në Belgjikë