“Mundësia” E Agron Shehaj Ngjitet Në Sondazhe Si Forca e Tretë

0

Partia “Mundësia”, e drejtuar nga Agron Shehaj, është tashmë forca e tretë politike në vend, sipas sondazheve të fundit. Një rritje që ka befasuar jo vetëm kundërshtarët, por edhe vetë opinionin publik, duke rrëzuar paragjykimin se partitë e reja nuk kanë shanse për t’u kthyer në faktor vendimmarrës në politikën shqiptare.

“Si ia dolëm? Sepse jemi të vërtetë,” u shpreh Shehaj, duke theksuar se ndryshe nga partitë tradicionale, “Mundësia” nuk premton qiqra në hell, por ofron një vizion realist, të ndërtuar mbi punë, ndershmëri dhe zgjidhje konkrete për qytetarët shqiptarë.

“Nuk i themi askujt që do vijë qeveria dhe do t’i bëjë të gjithë të pasur,” shtoi ai. “Ne thjesht besojmë se shqiptarët kanë nevojë për një shtet që t’u largohet nga kurrizi, që të mos i pengojë, por t’u hapë rrugë.”

Në një bisedë të publikuar nga selia e “Mundësisë”, Shehaj tregon se në Tiranë partia e tij ka arritur 11.5% të mbështetjes, ndërsa besimi i qytetarëve po përhapet edhe në qarqet e tjera. Ai ironizon zërat skeptikë që në fillim thoshin se “as vetë Agroni nuk do bëhej deputet”, ndërsa sot “nuk ka më dyshim që ‘Mundësia’ është gjithkund dhe ka shanse reale.”

“Po të mos ndjekësh populizma dhe mashtrime, njerëzit të vlerësojnë. Në 12 Maj, të gjithë do habiten,” deklaroi me bindje Shehaj.

Rritja e “Mundësisë” duket se është pasojë direkte e zhgënjimit me politikën e vjetër, premtimeve të pambajtura dhe fushatave të zbrazëta nga përmbajtja. Agron Shehaj përfaqëson një profil të ri, të bazuar në transparencë, qëndrueshmëri dhe integritet personal, një profil që mesa duket po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në mesin e votuesve të pavendosur.

Me një strategji të qartë kundër korrupsionit, mbështetje ndaj sipërmarrjes dhe reformë reale në administratë, Partia “Mundësia” po shndërrohet në një surprizë të padiskutueshme të fushatës së 2025-ës.

Artikulli i mëparshëmSi Grupi i Suel Çelës Ekzekutoi “Kasafortën” e Ardian Çapajt në Belgjikë
Artikulli i radhësMasakër në Suedi: Tre të Vdekur dhe Disa të Plagosur nga të Shtënat në Një Sallon Bukurie në Uppsala