
Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës kundër Ervin Dodës, kandidat i Partisë Socialiste për deputet në qarkun e Shkodrës, zona e Fushë-Arrëzit. Në kallëzimin, të firmosur nga Flamur Noka, Doda akuzohet se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit të kaluarën e tij penale.
Sipas PD-së, Ervin Doda është arrestuar në vitin 2016, dhe ka qëndruar pesë muaj në burg, i dyshuar për veprat penale “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje”, megjithëse në përfundim është shpallur i pafajshëm. Pavarësisht kësaj, në formularin e dekriminalizimit të plotësuar në vitin 2023 si anëtar i Këshillit Bashkiak dhe në vitin 2025 si kandidat për deputet, Doda ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë i arrestuar për kryerjen e një vepre penale.
Në kallëzim thuhet se, duke mohuar arrestimin, Doda ka konsumuar elementet e veprës penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve, parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
PD akuzon se ky veprim përbën një shkelje të rëndë të besueshmërisë publike dhe kërkon nga Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe verifikimin e çdo deklarimi të rremë.
Kjo lëvizje e Partisë Demokratike vjen në një moment delikat, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, dhe pritet të sjellë përplasje të reja politike mes palëve. Çështja e dekriminalizimit, edhe një herë, kthehet në një nga temat më të nxehta të debatit elektoral në Shqipëri.