
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Montecilfone-s në Itali, ku një 27-vjeçare shqiptare u gjet e pajetë pranë një mbikalimi, përgjatë rrugës që lidh Larinon me Biferninën.
Alarmi u dha nga bashkëshorti i saj, një 51-vjeçar, i cili raportoi në polici se, i shqetësuar për gjendjen e saj emocionale, kishte dalë ta kërkonte dhe e kishte gjetur të lidhur në një pemë me një litar, pa shenja jete.
Policia italiane, e mbështetur nga zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës, mbërriti në vendngjarje, ku fatkeqësisht konstatuan vetëm vdekjen e të resë. Autoritetet kanë hapur një hetim dhe Prokuroria Publike e Larinos ka regjistruar një procedim penal për dyshimin e nxitjes për vetëvrasje – një hap procedural për të mbledhur të gjitha elementet që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të tragjedisë.
Autopsia është planifikuar të kryhet më 2 maj, dhe rezultatet priten të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes dhe në zbulimin e çdo faktori të mundshëm që mund të ketë çuar në këtë përfundim tragjik.
Sipas kryeprokurores Elvira Antonelli, hetimet janë në zhvillim, ndërsa aktualisht nuk ka persona të vënë nën hetim. Policia po shqyrton të gjitha pistat, përfshirë edhe mundësinë e presionit të ushtruar ndaj viktimës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë jo vetëm në komunitetin shqiptar të Montecilfone-s, por edhe më gjerë, duke rikthyer vëmendjen tek nevoja për mbështetje emocionale dhe sociale ndaj emigrantëve, shpeshherë të ekspozuar ndaj presioneve dhe vështirësive të shumta në jetën e tyre të përditshme jashtë atdheut.