
Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes Donald Trump dhe miliarderit Jeff Bezos, pasi kompania Amazon njoftoi se do të përfshinte tarifat e reja për vendet si Kina në çmimet e produkteve të saj. Ky vendim u cilësua nga Shtëpia e Bardhë si një “akt armiqësor dhe politik” ndaj Shteteve të Bashkuara.
Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se Presidenti Trump ishte thellësisht i zemëruar dhe e telefonoi personalisht Bezosin për t’i shprehur pakënaqësinë.
“Ky është një veprim politik nga Amazon, i pajustifikuar në një kohë kur inflacioni u rrit nën administratën Biden dhe Amazon heshti,” deklaroi Leavitt në një konferencë për shtyp.
Dy ndihmës të lartë të Shtëpisë së Bardhë zbuluan për CNN se telefonata e Trump ndaj Bezosit ishte e tensionuar, ku presidenti akuzoi Amazonin për bashkëpunim të mëparshëm me propagandën kineze, duke iu referuar një raporti të vitit 2021 ku kompania kishte krijuar një portal të veçantë shitjesh në partneritet me Kinën.
Pas telefonatës, Amazon deklaroi për Reuters se nuk do të miratonte idenë e etiketimit të tarifave në platformë, megjithëse e kishin shqyrtuar këtë mundësi.
Trump, pas bisedës me Bezosin, tha për gazetarët se “Jeff Bezos ishte shumë i sjellshëm dhe e zgjidhi problemin shumë shpejt.” Sipas tij, marrëdhëniet midis tij dhe Bezosit përfunduan në mënyrë pozitive pas bisedës së drejtpërdrejtë.