
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin me lëndë plasëse në qytetin e Elbasanit, që tronditi lagjen “Partizani” në orët e para të datës 1 maj 2025. Burime policore bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të jetë inskenuar nga vetë familjarët, konkretisht pronarët e apartamentit, në bashkëpunim me nipin e kryefamiljarit.
Nga verifikimet paraprake është konstatuar se familjarët jetojnë kryesisht jashtë Shqipërisë dhe kanë kontakt të rrallë me apartamentin ku ndodhi shpërthimi.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar një burrë që vendosi lëndën plasëse mbrëmjen para incidentit, pranë hyrjes së banesës. Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:05, por fatmirësisht brenda apartamentit nuk kishte asnjë person në ato momente dhe nuk ka të lënduar.
Hetimet po vijojnë për të identifikuar saktësisht motivin e inskenimit dhe nëse kemi të bëjmë me një rast të mashtrimit të qëllimshëm për përfitime të mundshme apo një prapavijë kriminale më të gjerë.