Tritoli Në Elbasan, Dyshime Për Inskenim Nga Pronarët

0

Detaje të reja kanë dalë në dritë për shpërthimin me eksploziv në lagjen “Partizani” të qytetit të Elbasanit. Sipas mediave që i referohen grupit hetimor, ngjarja nuk ka pasur natyrë kriminale, por dyshohet të jetë inskenuar nga vetë pronarët e banesës me qëllim përfitimin e azilit në një shtet të Bashkimit Europian.

Të dhënat paraprake tregojnë se familjarët e apartamentit ndajnë jetën mes Shqipërisë dhe një vendi të BE-së, ku punojnë për disa muaj dhe më pas kthehen. Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se Arbër Pepa, pronari i banesës, është larguar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, në orët e para të mëngjesit bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën.

Vetëm pak minuta më pas, nipi i tij dyshohet se ka vendosur sasinë e lëndës plasëse në banesë, duke inskenuar ngjarjen. Ai është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme.

Ngjarja ndodhi në katin e parë të një ndërtese, ku shpërthimi shkaktoi dëme materiale edhe në banesat përreth. Nuk ka pasur të lënduar.

Artikulli i mëparshëmSot 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve/ Disa qytetarë protestojnë
Artikulli i radhësDETAJE/ Tritol Makinës Së Mjekes Në Tiranë