
Shqipëria është renditur në vendin e 80-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2025, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF), duke shënuar një ngjitje prej 19 vendesh në krahasim me vitin e kaluar. Në vitin 2024, Shqipëria ndodhej në vendin e 99-të nga 180 shtete.
Megjithatë, kjo ngjitje nuk përfaqëson domosdoshmërisht një përmirësim real të situatës. Organizata thekson se Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet më keq të renditura në rajonin BE-Ballkan, konkretisht në vendin e 35-të nga 40.
Rritja e renditjes lidhet edhe me përkeqësimin e situatës në vende të tjera, si Bosnja dhe Hercegovina (vendi 86, -5 vende) dhe veçanërisht Kosova, e cila ka shënuar një rënie dramatike prej 24 vendesh, duke u pozicionuar në vendin e 99-të – renditja më e keqe historike për të.
RSF nënvizon se rritja e Shqipërisë është ndikuar nga:
- Përmirësimi i treguesit të sigurisë, pas zbehjes së efektit që kishte vrasja e rojës së sigurisë së Top Channel, Pal Kola, më 2023.
- Ambicia e Prokurorit të Përgjithshëm për të prioritarizuar hetimet për sulmet ndaj gazetarëve.
- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që cilësoi të papërpjesëtuar veprimin e SPAK ndaj gazetarit Elton Qyno, duke forcuar mbrojtjen ligjore të lirisë së shprehjes dhe burimeve gazetareske.
Gjithashtu, treguesi socio-kulturor ka shënuar përmirësim, duke reflektuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe organizimit të gazetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Por situata mbetet kritike në treguesit politik dhe ekonomik:
- Në treguesin politik, Shqipëria renditet në vendin e 110-të.
- Në treguesin ekonomik, renditja është edhe më alarmante: vendi i 142-të.
RSF paralajmëron se:
- Liria e shtypit në Shqipëri kufizohet nga presioni politik i vazhdueshëm ndaj mediave, sidomos atyre private.
- Ka shqetësime në rritje për efektet e mundshme të ndalimit të TikTok, si një formë e re e kufizimit të lirisë së shprehjes.
- Konfliktet e interesit mes pronarëve të mediave dhe politikës, si dhe marrëdhëniet e afërta mes gazetarëve dhe politikanëve, e komprometojnë pavarësinë editoriale.
Në përfundim, pavarësisht renditjes më të lartë në indeks, Shqipëria mbetet një nga vendet më problematike në Ballkan për lirinë e medias, dhe RSF thekson se nuk ka vend për vetëkënaqësi apo iluzione për progres real pa ndëshkueshmëri, reformë të thellë në pronësinë mediatike dhe mbrojtje të garantuar ligjore për gazetarët.