
Një tjetër denoncim tronditës vjen nga Qarku i Korçës vetëm një natë para zgjedhjeve. Kandidati i Partisë Demokratike, Enton Çaçani, ka ngritur akuza të rënda ndaj administratës së Bashkisë Kolonjë, duke e akuzuar për blerje votash dhe intimidim të votuesve.
Sipas Çaçanit, punonjës të administratës janë përfshirë në shpërndarje parash dhe kanë planifikuar të nxjerrin fletët e votimit nga qendrat e votimit, një veprim që përbën shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor.
“Do përpiqen ta bëjnë edhe nesër gjatë votimit, kështu i kanë planet. I dimë të gjitha,” ka deklaruar kandidati i PD-së përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai ka bërë thirrje urgjente Task-Forcës së SPAK, si dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar, siç e cilëson ai, “krimin elektoral që po ndodh në terren”.
Zgjedhjet e 11 Majit 2025 po zhvillohen mes akuzave të forta për blerje votash, përdorim të institucioneve shtetërore dhe tensione në disa qarqe. Aktualitet.al po ndjek në kohë reale çdo zhvillim për të sjellë të vërtetën përpara qytetarëve.