Operacioni “Ura”/ GJKKO Lë në Burg 11 Të Arrestuarit, Liron Avokatin Tragaj dhe Dy Të Tjerë

0

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimet për 14 të arrestuarit e operacionit ndërkombëtar antidrogë “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK. Nga vendimi i gjykatës, 11 persona janë lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për 3 të tjerë, përfshirë avokatin Armand Tragaj, u vendos masa më e butë: “detyrim paraqitje”.

Avokati Tragaj, ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës, u paraqit para gjykatës me një apel emocional për gjendjen e rënduar familjare dhe psikologjike:
“Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me dy prindër të sëmurë, njerkën të paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijën e vogël. Dhe për këtë fakt kërkoj të jem pranë familjes”, u shpreh ai.

Së bashku me të, u liruan nga burgu edhe Bexhet Mema dhe Ervis Deti, të dy të përfshirë në skemën e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës.

Të arrestuarit që mbeten në burg janë:

  • Orgest Molla
  • Altin Morina
  • Akil Ndrejaku
  • Musa Koça
  • Rando Aliu
  • Sokol Isteri Tatani
  • Ligor Çombashi
  • Altin Pjetri
  • Ervin Zeqiri
  • Gezim Thartori
  • Alfred Hysa

Hetimi i koduar “Ura” është rezultat i një bashkëpunimi të thelluar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, duke përfshirë hetime audio, ambiente dhe përgjime të dekriptuara nga platforma Sky ECC. Pikërisht këto përgjime zbuluan mekanizmat e dërgesave me 250 kg drogë, komunikime për pagesa të mëdha në Bari, dhe rrjedhjen e parave me autobusë nga Puglia drejt Shqipërisë.

Sipas DIA-s italiane, janë dokumentuar:

  • Sekuestrimi i 3 milionë eurove cash në Durrës
  • 2 tonë kokainë në Roterdam
  • 932 kg kokainë në Gioia Tauro
  • 400 kg hashash në Bari
  • Laboratorë për përpunimin e drogës

Pavarësisht këtij suksesi ndërkombëtar, vendimet e GJKKO-së për lirimin e disa të arrestuarve kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën si po trajtohet dosja nga autoritetet shqiptare.

Operacioni “Ura” mbetet një nga goditjet më të mëdha ndaj grupeve të strukturuara kriminale shqiptare me shtrirje në Itali, Holandë dhe Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmSkandali i Shekullit: Rama Firmos Lejen e Ndërtimit për “Visin e Pojës”, ndërsa Italia e Heton për Pastrim Parash