NSA prezanton softuerin falas për sigurinë kibernetike: Nuk kemi asgjë për të fshehur

0

Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) zhvillon mjete të avancuara si për të hakeruar, edhe për t’u mbrojtur prej hakerimit. Më e fundit është Ghidra, e prezantuar të martën në konferencën e sigurisë RSA në San Francisko. Ghidra është një mjet me burim të hapur, të cilin këshilltari i sigurimit kibernetik në NSA, Rob Joyce, e quajti “një kontribut për komunitetin e sigurisë së vendit”.

Ghidra nuk mund të përdoret për të hakeruar pajisje. Ajo është në të vërtetë një platformë inxhinerike që funksionon në të kundërt: ajo i shndërron kodet 1 dhe 0 që kompjuterët i kuptojnë, në një strukturë, logjikë dhe komandë të lexueshme nga njeriu, të cilat zbulojnë se çfarë bën softueri. Inxhinieria e anasjelltë kompjuterike është një proces thelbësor për analistët e viruseve kompjuterike dhe hulumtuesit e inteligjencës kërcënuese, sepse i lejon ata të analizojnë softuerin që zbulojnë – si viruset apo programet që përdoren për të kryer sulme kibernetike – për të kuptuar se si funksionon, cilat janë aftësitë e tij dhe kush e ka krijuar apo nga ka ardhur.

Produkte të ngjashme me Ghidrën ka në treg, të tillë si IDA. NSA ka punuar me vite për Ghidra, e cila sipas Joyce është krijuar duke pasur parasysh përparësitë dhe nevojat që ka në botën reale, gjë që e bën atë një mjet të fuqishëm dhe veçanërisht të përdorshëm. Produkte si IDA kushtojnë, ndërsa fakti që Ghidra është me burim të hapur, e bën atë mjetin e parë të një kalibri të tillë që jepet falas, çka NSA e cilëson një kontribut të madh në trajnimin e gjeneratës tjetër të mbrojtësve të sigurisë në internet.

Duke ditur historinë e NSA me hakerimin, dyshimet për Ghidrën nuk mund të mos lindin që në minutat e para. Joyce thotë se teoritë e komplotit mund të ndizen menjëherë, por Ghidra nuk ka asgjë për të fshehur. “Nuk ka asnjë prapavijë në Ghidra. Po ju them, asnjë prapavijë. Mbajeni mend. Ju jap fjalën e skautistit”, tha ai.

Artikulli i mëparshëmProvokon Veliaj, dërgon Policinë Bashkiake tek Teatri Kombëtar
Artikulli i radhësLedri Vula lançon me shumë dashuri albumin e tij më të ri