
Një tjetër episod grotesk i zbatimit selektiv të ligjit në Shqipëri ka bërë xhiron e rrjetit ditën e sotme, duke sjellë në skenë një ngjarje që ndriçon më shumë absurditetin sesa rendin.
Protagonisti është Muçi, drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Sarandë, i cili shfaqet në një video virale duke i kërkuar një tregtareje, Bardhës, faturë tatimore dhe certifikatë origjine për rigonin e mbledhur në mal.
“Po s’ma solle faturën, do ta sekuestroj mallin,” dëgjohet teksa paralajmëron gruan që shet rigon – një bimë medicinale e egër që shqiptarët e kanë përdorur tradicionalisht pa burokraci. Bardha, tregtarja me përvojë që njihet në Sarandë, i përgjigjet me ironi dhe trishtim, duke përfaqësuar mijëra të tillë që jetojnë nga tregtimi i produkteve natyrore.
Në një realitet ku siguria ushqimore është më shumë në letër se në terren, ku AKU akuzohet prej vitesh si fole interesash klienteliste, dhe ku problematikat madhore mbeten pa adresim, shteti i Edi Ramës ka zgjedhur të përballet me… rigonin.
Ironia e videos nuk qëndron vetëm te kërkesa për faturë tatimore për një bimë të egër, por te ndërhyrja me tone kërcënuese e një nëpunësi lokal, që përfaqëson një qasje gjithnjë e më shumë të zeqinizuar të shtetit – ku ligji aplikohet si levë për të shtypur të dobëtit dhe për të maskuar dështimet sistemike.
Në rrjetet sociale, ngjarja është kthyer në tallje publike ndaj qeverisë:
“Pasi i zgjidhëm të gjitha, mbeti vetëm rigoni,” thonë komentuesit.
Çfarë ndodhi në Sarandë?
Drejtori i Bujqësisë, Muçi, i kërkoi një gruaje të moshuar faturë tatimore për rigonin e mbledhur në mal, duke kërcënuar me sekuestrim.
A është i rregullt një veprim i tillë?
Ligjërisht, produktet që shiten në treg duhet të kenë certifikatë origjine dhe faturë, por në praktikë kjo nuk është aplikuar për bimë të egra të mbledhura manualisht, veçanërisht nga persona të vetëpunësuar.
Si ka reaguar publiku?
Me ironi dhe zemërim. Videoja është bërë virale dhe ka ndezur debat mbi mënyrën selektive të funksionimit të shtetit.
Çfarë përfaqëson ky rast në një kuadër më të gjerë?
Rasti simbolizon degradimin e administratës në ekzekutues të verbër të absurditetit burokratik, ndërkohë që problemet madhore të ekonomisë dhe shëndetit publik mbeten pa adresim.
Ndërsa shqiptarët përballen me varfëri, mungesë punësimi dhe emigrim masiv, shteti i Ramës është katandisur të kërkojë fatura për rigon. Në vend të luftës ndaj oligarkëve dhe mafies së ndërtimit, përballë qeverisë sot janë gratë me thasë rigoni dhe burrat me shporta me manaferra.
Një shtet i zbrazët në thelb, por i rreptë në forma, i denjë për ekspozitat e piktorit që e udhëheq.