
Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur vendin, këtë herë në Hamallaj të Durrësit, ku një konflikt banal për vend parkimi ka përfunduar me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i plagosur ka mbetur Liridon Rata, 28 vjeç, i cili është qëlluar me dy plumba dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital. Autori është identifikuar si Altin Lekegegaj, 44 vjeç, i cili pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim.
“Dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A.L., 44 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin L.R., 28 vjeç. Policia ka identifikuar autorin dhe vijon ndjekjen e tij në zonë e ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ngjarjet e përsëritura për shkaqe banale
Kjo ngjarje pason një seri rastesh të ngjashme ku krimet ordinere për motive të dobëta janë kthyer në një fenomen shqetësues. Vetëm pak ditë më parë, një konflikt i vjetër për një vijë uji përfundoi me vrasjen e një personi në Divjakë.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se këto raste tregojnë mungesën e autoritetit të shtetit dhe kulturës së kompromisit, ku grindjet e vogla shndërrohen në përplasje fatale.
Hetimet dhe reagimi i policisë
Forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe janë në kërkim të autorit, ndërkohë që grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes. Deri tani, nuk ka të dhëna për përfshirjen e ndonjë personi tjetër.
Ngjarja ka shtuar shqetësimin publik për rritjen e dhunës me armë zjarri në Shqipëri, ku duket se pas periudhës së gjatë me atentate mafioze, janë rikthyer me forcë krimet ordinere dhe sherrat që kthehen në tragjedi.