Merr Fund Kriza në Kosovë/ Zgjidhet Kreu i Ri i Kuvendit

0

Pas gati shtatë muajsh ngërç politik nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin e ri, duke i dhënë fund krizës institucionale.

Dimal Basha, i zgjedhuri i ri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka marrë 73 vota pro, duke u konfirmuar si kryetar i ri i Kuvendit. Për zgjedhjen e tij votuan edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë që pas disa tentativave të dështuara me Albuena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, Kuvendi më në fund të arrijë një zgjidhje.

Në fjalën e tij pas votimit, Basha theksoi se ky proces i vështirë ka qenë një provë për demokracinë në Kosovë.

“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, tha ai.

Ai u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim dhe unitet në çështje madhore:

“Shumica prej nesh dallojmë me parti, por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës dhe mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial.”

Kush është Dimal Basha?

  • Lindur: 12 tetor 1979, Prishtinë – jeton në Ferizaj
  • Studime: Diplomuar në John Jay College of Criminal Justice në New York, në drejtimin E Drejta Penale Ndërkombëtare, me rezultate të larta.
  • Master: Marrëdhënie Ndërkombëtare në The New School University, New York, me fokus në Konflikt dhe Siguri.
  • Karrierë profesionale:
    • Punoi në zyrën e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel
    • Analist i të dhënave kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së
    • Eksperiencë menaxheriale në Angli dhe ShBA
  • Karrierë politike: Deputet i Vetëvendosjes për dy mandate. Anëtar në komisionet:
    • Për Punë të Jashtme
    • Për Legjislacion
    • Për Mbikëqyrjen e AKI-së
    • Për Stabilizim-Asociim

Me këtë votim, Kosova i jep fund një periudhe të gjatë bllokade, duke hapur rrugën për normalizimin e punës së Kuvendit dhe forcimin e institucioneve demokratike.


Artikulli i mëparshëmFotot/ Tmerri i VIPA-ve në Londër, del nga burgu skifteri nga Gjormi i Vlorës. Kreu grabitje me vlerë 10 milionë paund
Artikulli i radhësNë Prag të Krizës së Radhës; Kush Mund Ta Qeverisë Francën?