Humbi djalin në tragjedinë e Tempit, babai shqiptar në grevë urie përballë Parlamentit grek – Qindra Qytetarë I Bashkohen

0

Sheshi përpara Parlamentit grek në Athinë u kthye të dielën në një skenë të fuqishme solidariteti. Qindra qytetarë dhe mbi 55 shoqata e organizata u bashkuan për të mbështetur Pano Rucin, babain shqiptar që humbi djalin e tij Denis Ruci, vetëm 22 vjeç, në tragjedinë hekurudhore të Tempeve në shkurt të vitit 2023, ku humbën jetën 57 persona.

Greva që trondit Athinën

Prej tetë ditësh, Pano Ruci ndodhet në grevë urie dhe etjeje, duke kërkuar zhvarrosjen e trupit të djalit me qëllim që të zbulohet e vërteta e asaj nate të errët. Krahas tij është bashkuar edhe një tjetër baba, i cili po ashtu humbi fëmijën në të njëjtën tragjedi.

Pano Ruci: “Nuk na japin leje për zhvarrim. Nuk na lënë të kërkojmë të vërtetën, të gjejmë provat, të zbulojmë çfarë ndodhi atë natë. Pyes: nga çfarë kanë frikë? Unë do të vazhdoj deri në fund. Nuk ndalem.”

Shoqëria civile në krah të prindërve

Në Athinë dhe Selanik janë mbajtur protesta masive në mbështetje të grevistëve. Sindikata, federata arti, punonjës të teatrit kombëtar, muzikantë dhe organizata të mediave kanë dalë hapur kundër mbylljes së përshpejtuar të hetimeve, duke kërkuar ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve të tragjedisë.

Edhe Maria Karystianou, kryetare e komitetit të prindërve të viktimave, theksoi vendosmërinë e familjeve:

“Të bashkuar, të gjithë së bashku, nuk ka mënyrë që të na mposhtin. Këtë herë, e mira do të triumfojë.”

Një thirrje që nuk shuhet

Protesta e kthyer në grevë urie është shndërruar në një valë solidariteti kombëtar, duke e bërë kauzën e Pano Rucit simbol të rezistencës kundër padrejtësisë. Çdo ditë qytetarë të thjeshtë e mbështesin, duke i dhënë forcë për të vazhduar betejën e tij.

Prindërit e viktimave paralajmërojnë se nuk do të lejojnë që krimi i Tempeve të mbulohet me heshtje, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.


Artikulli i mëparshëm(VIDEO) Trump dhe Elon Musk ribashkohen në ceremoninë përkujtimore të Charlie Kirk