
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një tjetër rast të pastrimit të parave dhe pasurive të dyshuara me origjinë kriminale. Në zbatim të vendimit nr. 622, datë 3 tetor 2025, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi një sërë pasurish të lidhura me kompaninë “Monopol” dhe pronarin e saj, A.K.
Pasuri të Sekuestruara
Vendimi përfshin 3 subjekte tregtare, 7 apartamente, 6 njësi tregtare, 32 automjete — ndër to një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan — si dhe 52 llogari bankare në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të personave nën hetim.
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara vlerësohet në rreth 5 milionë euro.
Kompanitë e Përfshira
- “Monopol sh.p.k.”, me ortak të vetëm A.K. dhe administrator K.K., regjistruar më 26 maj 2025 në rrugën “Myslym Shyri”.
- “A.K. PF”, me emrin tregtar “Monopol Bar Lounge 24 ore”, regjistruar më 28 shkurt 2020, po në të njëjtën rrugë.
- “Elite Event sh.p.k.”, me ortak dhe administrator A.K., regjistruar më 26 shkurt 2025.
Apartamentet dhe Njësitë Tregtare
Të gjitha pasuritë ndodhen në rrugën “Myslym Shyri”, Tiranë, një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.
Ato përfshijnë:
- 7 apartamente me sipërfaqe nga 125 deri në 143 m²
- 6 njësi tregtare me sipërfaqe nga 49 deri në 146 m²
Automjetet dhe Llogaritë Bankare
Sekuestroja prek gjithashtu 32 automjete, përfshirë dy makinat luksoze Lamborghini Urus dhe Rolls Royce Cullinan, të regjistruara në emrat e A.K., L.K., K.K., Zh.Xh-I., S.L., si dhe subjektit “SALOU Rental sh.p.k.”.
Në të njëjtën kohë, janë ngrirë 52 llogari bankare të personave fizikë dhe juridikë të lidhur me hetimin, përfshirë:
Monopol Exchange, Elite Event, SALOU Rental, L.K., K.K., A.K. dhe Zh.Xh-I.
Zbatimi i Vendimit
Për zbatimin e vendimit të Gjykatës është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Hetimet janë pjesë e procedimit penal nr. 177/2025, që lidhet me dyshime për pastrim parash dhe aktivitet ekonomik fiktiv përmes lokaleve dhe kompanive të reja në Tiranë.
Ky është një tjetër aksion i madh i SPAK, i cili vijon goditjen e rrjeteve që përdorin bizneset e luksit për të fshehur pasuritë e krijuara nga veprimtari kriminale.