
Kryebashkiaku i suspenduar i Tiranës, Erion Veliaj, u shfaq mëngjesin e sotëm në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të zhvillohet seanca shqyrtuese për kërkesën e tij kundër shkarkimit nga detyra të firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Veliaj, me pranga në duar, del nga furgoni i policisë dhe futet në gjykatë nga hyrja e pasme, nën masa të rrepta sigurie. Ai u përpoq t’u përgjigjej disa prej qytetarëve që e thërrisnin përtej hekurave, ndërsa u shoqërua menjëherë nga oficerët e policisë gjyqësore.
Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit, pas vendimit të SPAK për masë sigurie ndaj tij në kuadër të hetimeve për abuzim me fondet publike dhe shpërdorim detyre. Kohët e fundit, ai ka ndryshuar strategjinë mbrojtëse, duke u vetëshpallur “i burgosur politik”, në përpjekje për të delegjitimuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij.
Sot, në Gjykatën Kushtetuese, pritet të shqyrtohet kërkesa e tij për shpalljen antikushtetuese të vendimit të Ramës, një proces që ka ngjallur interes të lartë publik dhe politik, për shkak të implikimeve që mund të ketë në balancat e pushtetit lokal.
Në sallën e gjyqit pritet përballja e avokatëve të Veliajt me përfaqësuesit ligjorë të qeverisë, në një seancë që mund të përcaktojë nëse ish-kryebashkiaku do të rikthehet në detyrë apo do të mbetet pas hekurave.


