
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ndezur debat në rajon me deklaratat e tij për progresin e vendeve drejt integrimit evropian. Duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian, ai u shpreh se Shkupi ka më shumë arritje se Tirana, madje edhe se Serbia.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur me raportin, sepse nuk ka konstatuar regres në ecurinë e reformave,” tha Mickoski, duke shtuar se pas zgjedhjeve lokale, qeveria e tij do të përqendrohet te ndryshimet në gjyqësor dhe prokurori.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është përpara Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa vendosi edhe një renditje krahasuese për rajonin:
“Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria.”
Kryeministri maqedonas e mbylli deklaratën me një thumb politik duke shtuar se, nëse Shkupi do të kishte miratuar ndryshimet kushtetuese, tashmë do të kishte shmangur çdo “veto” që e pengon procesin e integrimit.
