
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas atentatit mafioz në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe, pas disa ditësh në gjendje të rëndë, edhe shoqëruesi i tij Muçi Shaljani. Ngjarja, e konsideruar ndër më të rëndat e viteve të fundit, ka shkaktuar tronditje të madhe publike dhe ka ngritur pikëpyetje të forta për sigurinë.
Gjatë një takimi me banorët e Njësisë 3 në Tiranë, Rama deklaroi se ngjarja do të ishte zbardhur “në kohë reale” nëse vendi do të kishte tashmë funksional sistemin e kamerave inteligjente me IA, të cilat premton se do të instalohen “nga momenti në moment”.
Sipas kryeministrit, projekti është mbështetur teknikisht dhe financiarisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe parashikon mbikëqyrjen e rrugëve dhe lagjeve me kamera të teknologjisë së avancuar, të afta të identifikojnë shkeljet dhe lëvizjet e dyshimta në kohë reale. Rama shtoi se instalimi është vonuar për shkak të burokracive të brendshme, pavarësisht se qeveria kishte përfunduar të gjithë fazën përgatitore.
Ai argumentoi se sistemi nuk synon vetëm rritjen e sigurisë, por edhe disiplinën qytetare, përfshirë shmangien e hedhjes së mbetjeve, ndotjen, apo shkelje të tjera të rregullave publike.
Lidhur me atentatin në Rinas, Rama tha se “puna nuk është vetëm zbardhja”, duke lënë të nënkuptohet se vendosja e kamerave të IA është pjesë e një projekti më të gjerë transformimi të rendit publik.
Deklaratat e tij vijnë mes një presioni të madh publik dhe kritikave të opozitës, e cila e konsideron atentatin dëshmi të humbjes së kontrollit mbi krimin e organizuar. Ndërkohë, Prokuroria dhe policia po vijojnë hetimet për të zbardhur autorët dhe dinamikën e plotë të sulmit mafioz që tronditi zonën e Rinasit dhe opinionin publik.
