
Shqipëria ka ulur siparin e fushatës kualifikuese të Botërorit 2026 me një humbje 0–2 ndaj Anglisë në “Air Albania”, në një mbrëmje ku loja dhe përkushtimi i skuadrës sollën më shumë shpresë sesa zhgënjim. Kuqezinjtë, që e kishin siguruar matematikisht playoff-in tre ditë më parë, zhvilluan një ndeshje dinjitoze ndaj një prej ekipeve më të forta të Europës, por dy goditjet e Harry Kane rezultuan vendimtare.
Një pjesë e parë e ekuilibruar dhe me ritëm të lartë
Dueli nisi i zjarrtë dhe me intensitet të lartë. Hysaj provoi të shënonte një supergol në minutën e 18’, por tentativa e tij fluturoi mbi tra. Kapiteni u detyrua të linte lojën pak më vonë për shkak të një dëmtimi, duke i hapur vendin Balliut.
Strakosha, një nga më të mirët në fushë, neutralizoi goditje të rrezikshme të Bowen dhe Quansah, duke mbajtur të paprekur portën deri në fund të pjesës së parë, e cila u mbyll 0–0.
Momentet vendimtare dhe dy goditjet e Kane
Pjesa e dytë u hap me raste të shkëlqyera për Shqipërinë. Laçi iu afrua golit në minutën e 47’, ndërsa Arbër Hoxha goditi dy herë, por pa e mposhtur Henderson.
Balanca u prish në minutën e 74’, kur një largim i gabuar i topit në zonë u shfrytëzua nga Harry Kane për të zhbllokuar rezultatin. Sulmuesi anglez shënoi edhe të dytin në minutën e 82’, duke vulosur fitoren për Anglinë.
Kuqezinjtë u detyruan të luanin minutat e fundit me 10 lojtarë pas dëmtimit të rëndë të Armando Brojës, i cili la fushën mes lotësh, vetëm pak minuta pasi ishte futur në lojë.
Një fushatë historike, me sytë nga e enjtja
Pavarësisht humbjes, Shqipëria e mbyll këtë rrugëtim në vend të dytë me 14 pikë, një arritje historike dhe ndër më të mirat në kualifikueset e një Botërori. Sytë tashmë janë te shorti i së enjtes, kur do përcaktohet kundërshtari në fazën delikate të playoff-it.
Rezultati përfundimtar:
Shqipëri 0–2 Angli
Golat: Kane 74’, 82’
