Banorët e Tragjasit, Orikumit dhe Dukatit Protestojnë Para SPAK: Kallëzim për Tjetërsimin e Tokave, Kërkohet Hetim Edhe Në SHBA

0

Banorët e Tragjasit, Orikumit dhe Dukatit u mblodhën këtë të hënë para godinës së SPAK-ut, ku zhvilluan një protestë dhe depozituan zyrtarisht një kallëzim penal për atë që e konsiderojnë një skemë të gjerë tjetërsimi pronash në zonën e Rivierës.

Në kallëzimin e tyre, banorët pretendojnë se zyrtarë të qeverisë, biznesmenë dhe persona të tjerë të lidhur me institucione vendase e të huaja janë përfshirë në përvetësimin e pronave përmes dokumenteve të falsifikuara dhe skemave të sofistikuara të pastrimit të parave. Ata shkojnë më tej duke deklaruar se në këtë rrjet dyshohet të jenë të përfshirë edhe ish-zyrtarë amerikanë, të cilët, sipas tyre, kanë qenë pjesë e mekanizmit të tjetërsimit.

Në kallëzimin voluminoz drejtuar SPAK, thuhet ndër të tjera:

“Dyshimi se pjesë e këtij grupi janë edhe shtetas amerikanë e bën situatën më të ndërlikuar, pasi aktiviteti kriminal ka kaluar kufijtë e Shqipërisë duke përfshirë juridiksione të ndryshme financiare e ligjore. Pasuritë e përfituara me dokumenta të falsifikuara mund të jenë përdorur për të pastruar paratë e krimit nëpërmjet sistemeve financiare ndërkombëtare dhe kompanive të krijuara jashtë vendit.”

Banorët theksojnë se skema e dyshuar është zhvilluar përmes mekanizmave kompleksë: krijimit të kompanive shell, lëvizjeve të dyshimta bankare, investimeve në prona brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe përfshirjes së ndërmjetësve me ndikim politik e ndërkombëtar.

Në dokumentin e paraqitur, kërkohet që hetimet të shtrihen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

“Hetimi duhet të zgjerohet në SHBA për të identifikuar llogaritë bankare, investimet, kompanitë dhe çdo pasuri që mund të jetë përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale. Në bazë të të dhënave të deritanishme, dyshohet se pjesë e grupit janë shtetas amerikanë ose subjekte juridike të regjistruara në SHBA.”

Në kallëzim theksohet se një hetim i tillë ndërkombëtar është i domosdoshëm për të zbardhur të gjithë rrjetin e organizuar dhe për të dokumentuar bashkëpunimin ndërkombëtar të individëve të përfshirë.

Sipas banorëve, struktura e dyshuar kriminale ka shfrytëzuar ndikime politike, ekonomike dhe ndërkombëtare, duke mundësuar tjetërsimin e qindra hektarëve tokë në një nga zonat më të çmuara turistike të vendit. Ata kërkojnë sekuestrimin e menjëhershëm të pasurive dhe ndërprerjen e çdo procedure të mëtejshme që lidhet me përdorimin e këtyre pronave.

Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa banorët paralajmëruan se do të vijojnë me veprime të tjera publike nëse nuk shohin hapa konkretë nga SPAK dhe institucionet ndërkombëtare me të cilat kërkojnë bashkëpunim.

Artikulli i mëparshëmMinistria e Drejtësisë Dorëzon Kërkesën Zyrtare Në Zvicër: Të Hapet Rruga Për Ekstradimin e Arben Ahmetajt
Artikulli i radhësProtesta e PD-së Para Kryeministrisë: Policia Publikon Planin e Masave dhe Bllokimin e Aksit Kryesor të Tiranës