Ahmetaj Shpërthen Me Akuza: “Pyesni Ramën Për Kazinotë E Kartelit Sinaloa”

0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar akuza tepër të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, duke i lidhur me licencimin e kazinove që, sipas tij, kanë shërbyer për aktivitetin financiar të kartelit famëkeq meksikan Sinaloa. Në një lidhje telefonike në “Çim Peka Live” në SYRI TV, Ahmetaj deklaroi se akuzat ndaj tij janë pjesë e një goditjeje politike të orkestruar nga kreu i qeverisë.

“Nuk kam firmosur kurrë licenca kazinoje – Pyesni Ramën”

I pyetur mbi licencën e dhënë për disa shtetas shqiptaro-meksikanë, të cilët janë shpallur “non grata”nga Departamenti Amerikan i Thesarit për pastrim parash të kartelit Sinaloa, Ahmetaj ishte kategorik:
“Sa kam qenë unë ministër i Financave nuk ka pasur licenca kazino. Zero. Pyesni Edi Ramën,” – u shpreh ai, duke kujtuar se Rama e ka paralajmëruar publikisht arrestimin e tij.

Ahmetaj mohoi çdo lidhje me këtë proces dhe deklaroi se përgjegjësia bie mbi institucionet që kanë dhënë licencat gjatë periudhave të mëvonshme.

Akuza ndaj SPAK: “Po bëjnë genocid ndaj familjes time”

Në vijim, Ahmetaj i ashpërsoi tonet ndaj SPAK-ut, të cilin e akuzoi për mungesë hetimesh ndaj organizatave kriminale dhe përqendrim të padrejtë ndaj tij personalisht.
“S’po hetojnë krimin e organizuar nga A-ja te Zh-ja. Po bëjnë genocid kundër familjes sime,” – deklaroi ai, duke shtuar se prokurorët duhet të pyesin veten nëse e kuptojnë dëmin që po iu shkaktojnë njerëzve të pafajshëm.

Biletat VIP të drejtuesve të SPAK në stadium: “Si i siguruan?”

Debati mori një tjetër kthesë kur u përmend episodi i një ndeshjeje futbolli, ku drejtues të lartë të SPAK – përfshirë Altin Dumanin dhe Arben Krajën – janë parë në tribunën VIP të stadiumit së bashku me familjet e tyre.
Ky fakt, sipas komentuesve në studio, ngre pyetje të forta mbi mënyrën e sigurimit të biletave të shtrenjta dhe mbi imazhin e organit të akuzës që shfaqet në vende luksoze ndërkohë që pretendon të jetë në vijën e parë të luftës kundër krimit.

“Po më godasin sepse kam folur”

Sipas interpretimit të bërë gjatë emisionit, përndjekja ndaj Ahmetajt mund të jetë një reagim ndaj deklaratave të tij të mëparshme, të cilat duket se kanë “prishur qetësinë” e zyrtarëve të lartë të drejtësisë. E njëjta logjikë lidhet me idenë se sulmet ndaj familjes së tij dhe shfaqjet publike të drejtuesve të SPAK janë dy shenja të së njëjtës tendencë: një sistem që nuk toleron zërat kritikë.

Një betejë politike e hapur

Deklaratat e Ahmetajt pritet të ndezin më tej tensionet politike në Tiranë, sidomos në kushtet kur hetimet për aferat financiare në Llogara dhe sektorë të tjerë publikë kanë marrë vëmendje të madhe.
Akuzat për kartelin Sinaloa, licencat e kazinove dhe përndjekjen nga drejtësia e bëjnë këtë çështje një nga debatet më të ashpra të ditëve të fundit.


Artikulli i mëparshëmKërcënimet, Heshtja Dhe 82 Milionët E Zhdukur: Arben Ahmetaj Ringjall Debatin Për Tunelin E Llogarasë
Artikulli i radhësDrejtësi Me Dy Standarde: Andi Bushati Akuzon SPAK-un Se Po Përdoret Kundër Kundërshtarëve Të Ramës