
Protesta e opozitës së 17 nëntorit, e pagëzuar si “Foltore 2”, u paraqit si nisja e një cikli të ri rezistence politike, por në realitet mori trajtën e një tubimi simbolik, më shumë për të dëshmuar ekzistencë sesa për të prodhuar tronditje. Për më shumë se një orë e gjysmë, përpara Kryeministrisë u ngrit një foltore e improvizuar ku Sali Berisha dhe disa deputetë të tjerë përsëritën refrenin e njohur të opozitës: qeveria duhet të dorëhiqet, SPAK është i kapur, dhe aksioni politik do të vijojë çdo javë. Por përtej parullave dhe vendosmërisë së deklaruar, ajo që u pa ishte më shumë përpjekja për të krijuar një ritëm të ri të opozitës, sesa demonstrimi i një force të vërtetë popullore.
Tubimi ishte i qetë, pa incidente dhe me një pjesëmarrje që nuk i ngjante lëvizjeve të dikurshme protestuese të PD-së. Kjo qetësi, që në çdo vend normal do të vlerësohej si shenjë qytetarie, në Tiranë merr një kuptim tjetër: nuk kishte jo vetëm tension, por as energjinë e dikurshme të një opozite që dikur trondiste bulevardin. Berisha e hapi protestën me një premtim që tingëlloi si kërcënim për qeverinë, por edhe si përpjekje për të rigjeneruar moralin e brendshëm: çdo javë do të mblidhemi këtu, deri sa Rama dhe Balluku të dorëhiqen. Një frazë që, me gjithë patosin që e shoqëroi, la më shumë përshtypjen e një strategjie të domosdoshme për mbijetesë politike, sesa të një betejë që mund të sjellë rezultat të shpejtë.
Protesta e djeshme nuk ishte një shpërthim popullor, nuk ishte as shenjë e një furtune që po afrohet. Ajo ishte një tentativë për të rindërtuar narrativën e opozitës në një moment kur qeveria dominoi axhendën me hapjen e grupkapitullit të fundit negociues me Bashkimin Europian. Kontrasti mes dy realiteteve ishte i dukshëm: në Bruksel, Rama fliste për kapituj dhe integrim, ndërsa në Tiranë, opozita përpiqej të impononte temën e dorëheqjes. Dhe, për t’i ndërlikuar gjërat më tej, mediat përqafuan një ndarje të pashmangshme: në krye të faqes qëndronte përparimi europian i Shqipërisë; më poshtë, protesta e opozitës. Nuk ishte manipulim editorial – ishte thjesht peshorja reale e ngjarjeve të ditës.
Për PD-në, ky tubim ishte i rëndësishëm për një arsye: sinjalizoi se opozita nuk ka ndërmend të zhduket nga skena, pavarësisht plagëve të brendshme dhe sfidave të pafundme. Ajo që mungoi ishte fryma e një lëvizjeje të re, një imazh i freskët që tregon se protesta nuk është thjesht rikthim tek e vjetra. Fjalimet, ritmi, skena – gjithçka dukej e njohur, gati e konsumuar. Nuk u shfaq asnjë figurë e re, asnjë impuls që mund të krijonte përshtypjen e një opozite të rilindur. Ky është, ndoshta, problemi themelor i këtij aksioni.
Në një lexim më të thellë, protesta ishte më shumë një thirrje për vëmendje sesa një tentativë për ndryshim të menjëhershëm. Nga njëra anë, ajo i shërbeu PD-së për të rikuperuar hapësirën mediatike, për të krijuar idenë e një opozite aktive. Nga ana tjetër, vetë Berisha, i përballur me thirrjet e SPAK-së dhe me presionin e zhvillimeve të ditëve të fundit, kishte nevojë të konfirmonte se ende mban kontrollin e rrugës dhe të zemrës së partisë së tij.
Në fund të ditës, protesta nuk ndryshoi ekuilibrat e mëdhenj. Por ajo tregoi se PD-ja ka hyrë në një fazë të re strategjie: protesta të shpeshta, presion i vazhdueshëm, rikthim në rrugë si mënyrë për të mos dalë nga cikli i politikës së përditshme. A do të funksionojë kjo? Ende është herët për të thënë. Sepse pas çdo proteste që premton rikthim, vjen gjithnjë pyetja më e vështirë për t’u shmangur: A po ndërton opozita një të ardhme, apo thjesht po lufton me të shkuarën?
