
Në Pallatin e Brigadave ka nisur punimet samiti “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE”, një tryezë zyrtare e thirrur në Tiranë ku marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos. Samiti, i cili zhvillohet në kuadër të procesit europian të integrimit, nuk organizohet nga qeveria shqiptare, por është pjesë e kalendarit zyrtar të takimeve rajonale të BE-së të mbajtura këtë herë në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se rajoni nuk kërkon favore, por po dëshmon me reforma se është i gatshëm për integrimin europian.
Rama vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin një nivel reformash të paprecedentë në kuadër të planit të ri të rritjes, i cili sipas tij ka ndikim të drejtpërdrejtë në financat publike, energji dhe sektorë të tjerë kyç.
Ai theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit 8, duke e quajtur atë një “arterie europiane” dhe një korridor sigurie për NATO-n.
“Evropa është diçka që po e ndërtojmë së bashku. Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, u shpreh Rama.
Sipas tij, rajoni kërkon të rritet krah Evropës dhe jo në kurriz të saj, ndërsa investimet dhe projektet e planit të rritjes synojnë të thellojnë integrimin ekonomik dhe institucional.
