Alimehmeti në Top Story: “Gjithçka nis me një shtrëngim duarsh, PD duhet riorganizim nga koka te këmbët”

0

Pas takimit të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike me rreth 15 kandidatë nga listat e hapura dhe anëtarin e Kryesisë Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti sqaroi mbrëmjen e së enjtes në Top Story arsyet e mbledhjes dhe diskutimet që u zhvilluan mes tyre. Ai tha se nuk ishte takim formal, por një bisedë e hapur për gjendjen e partisë dhe domosdoshmërinë e një riorganizimi të thellë.

Sipas tij, PD po përballet me një qeveri “të kalbur”, por opozita nuk arrin të krijojë lëvizjen politike të nevojshme për t’i bërë ballë. “Ne ishim në një moment diskutimi për situatën dhe se si e mendon secili prej nesh. Në takim ishim rreth 15 veta,” tha Alimehmeti.

Nëse kjo përbën një nismë të re politike brenda partisë, ai nuk dha një përgjigje të prerë, por theksoi se çdo lëvizje nis natyrshëm, “me një shtrëngim duarsh”, dhe se aktualisht mungon përfaqësimi i demokratëve.

“PD ka nevojë për riorganizim nga koka te këmbët,” u shpreh ai. “Vetëm kështu mund t’i afrohemi me sukses zgjedhjeve vendore dhe të krijojmë një strukturë që u flet njerëzve siç duhet.”

Ai nënvizoi se vizioni i tij politik lidhet me vitin 2029, përmes një rruge që kalon nga 2027, duke theksuar se me korrigjimet e duhura në muajt në vijim, situata për opozitën mund të ndryshojë ndjeshëm.

“Është e lehtë përballë kësaj qeverisjeje që po bie vetë,” shtoi Alimehmeti, duke i adresuar përgjegjësinë lidershipit aktual për boshllëqet dhe mungesën e koordinimit në PD.

Deklaratat e tij shtojnë intensitetin e debatit të brendshëm në Partinë Demokratike, duke sinjalizuar vazhdimësinë e përplasjes për drejtimin dhe orientimin e ardhshëm të forcës më të madhe opozitare në vend.

Artikulli i mëparshëm(PËRPLASJE NË PD) Alimehmeti kundër Bardhit: “Statuseve në Facebook nuk u përgjigjem, PD ka larguar njerëzit vetë”
Artikulli i radhësEmrat që zbulojnë gangrenën në polici: ushtarët e krimit shtohen, por Proda nuk lëviz nga karrigia