
Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit Edmond Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, kanë sjellë zhvillime të rëndësishme. Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të atentatit të 30 nëntorit në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit dhe ka vënë në pranga një prej bashkëpunëtorëve.
Operacioni policor i koduar “Strike” çoi në arrestimin e Xhino Agos, 32 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor, si edhe Kujtim Pishës, 52 vjeç, për “moskallëzim krimi”. Dy të tjerë — Marselo Arani dhe Armando Kola — janë shpallur në kërkim si autorët kryesorë të vrasjes.
Një detaj tronditës i hetimit: një prej autorëve të shpallur në kërkim, Marselo Arani, ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale në momentin e kryerjes së atentatit.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë hetimit janë siguruar prova të rëndësishme, përfshirë pamje filmike që dokumentojnë mekanizmin e krimit. Automjeti i përdorur nga autorët rezulton të jetë në pronësi të Xhino Agos, i cili ia kishte dhënë me hua Aranit.
Për vrasjen me paramendim në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, si edhe largim nga vendi i qëndrimit, ndaj të dyshuarve është lëshuar urdhër kërkimi.
Ndërkohë, 52-vjeçari i arrestuar për “moskallëzim krimi” dyshohet se, si roje i një karburanti në zonë, nuk ka dhënë informacion për ngjarjen dhe lëvizjet e autorëve.
Grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të atentatit.
