
Ceremonia në Uashington ka ndezur emocionet në të dy anët e kufirit, ndërsa Botërori 2026 sjell formatin më të madh të turneut deri tani: 48 skuadra, 12 grupe dhe një garë më e gjerë se kurrë më parë. Shqipëria dhe Kosova, ende në pritje të play off-it, janë përfshirë zyrtarisht në short, duke i dhënë dimension historik pjesëmarrjes së mundshme.
Botërori i reformës dhe i zgjerimit
Me Meksikën, Kanadanë dhe SHBA-në si vende pritëse, shorti nis me rregulla strikt balancimi. Meksika është e pozicionuar në Grupin A, Kanadaja në B dhe SHBA në D, ndërsa skuadrat e tjera të vazos së parë shpërndahen për të shmangur përballjet e hershme mes ekipeve të mëdha.
Spanja dhe Argjentina, dy zërat më të fortë të futbollit botëror, do të kenë rrugëtime paralele, teksa e njëjta logjikë zbatohet për Francën e Anglinë. FIFA synon që ndeshjet e mëdha të zhvillohen në fazat e avancuara, duke ruajtur ekuilibrin kompetitiv.
Shqipëria dhe Kosova, në vazon e katërt
Fitueset e katër playoff-eve europiane—përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën—përfshihen në vazon më të ulët, së bashku me Jordaninë, Ganën, Haitin, Zelandën e Re, Kepin e Gjelbër, Kurasaon dhe skuadrat nga playoff-et ndërkontinentale.
Shqipëria gjendet në Playoff B, ku përballet me Ukrainën, Suedinë dhe Poloninë. Kosova, nga ana tjetër, gjendet në Playoff C, përballë Turqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Vetëm fituesit e secilit playoff udhëtojnë drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës.
Në rast kualifikimi, të dyja kombëtaret do të pozicionoheshin në vazon e katërt, duke u bërë pjesë e një grupi të vështirë, por historik për futbollin shqiptar.
Grupet e formuara deri tani
Ceremonia ka përcaktuar tashmë bazën e 12 grupeve, përpara shtimit të skuadrave të play off-it:
- A: Meksikë, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut
- B: Kanada, Zvicër, Katari
- C: Brazil, Marok, Skoci
- D: SHBA, Australi, Paraguai (Kosovë)
- E: Gjermani, Ekuador, Bregu i Fildishtë
- F: Holandë, Japoni, Tunizi, (Shqipëri)
- G: Belgjikë, Iran, Egjipt
- H: Spanjë, Uruguai, Arabia Saudite
- I: Francë, Senegal, Norvegji
- J: Argjentinë, Austri, Algjeri
- K: Portugali, Kolumbi, Uzbekistan
- L: Angli, Kroaci, Panama
Ceremonia e Uashingtonit: mes spektaklit dhe simbolikës
Përpara goglave, skena mori shkëlqim nga emra të mëdhenj të kulturës dhe sportit. Andrea Bocelli hapi ceremoninë, ndërsa Robbie Williams dhe Nicole Scherzinger ndezën atmosferën me performancat e tyre.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mori fjalën gjatë ceremonisë, ndërsa presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i dorëzoi atij “Çmimin e Paqes FIFA”, në një moment simbolik për futbollin global.
Pritja e madhe për kombin shqiptar
Shqipëria dhe Kosova kanë përpara një mur të vështirë play off-i, por pjesëmarrja e tyre zyrtare në short është një shenjë e qartë e progresit që futbolli shqiptar ka bërë në dekadën e fundit. Sytë janë nga vazoja e fundit, aty ku fati mund të shkruajë historinë.
Rrugëtimi i Kombëtares shqiptare dhe asaj kosovare drejt Botërorit 2026 mbetet i hapur, sfidues, por i mundur. Dhe çdo minutë e ceremonisë në Uashington e bën pritjen edhe më emocionale.
