
Kryeministri Edi Rama është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, këtë herë përmes një interviste për “The Observer”, ku ka zgjedhur të sulmojë ashpër Bashkimin Europian, ndërsa njëkohësisht ka shpërndarë elozhe për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një moment kur qeveria e tij ndodhet nën presion të fortë për çështje korrupsioni dhe hetime që kanë prekur nivelet më të larta të pushtetit, Rama ka preferuar të “qajë hallin” e Europës, duke e përshkruar BE-në si një strukturë të zhytur në errësirë, pesimizëm dhe burokraci paralizuese.
“Ka një errësirë në Evropë dhe nuk shoh rrugëdalje. Problemi nuk është diku tjetër, është vetë Evropa. Jemi ne”, shprehet Rama në intervistë, duke kritikuar mungesën e strategjisë dhe energjisë pozitive në kontinent.
Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj Unionit, kryeministri shqiptar nuk heq dorë nga aspirata për anëtarësim, duke e cilësuar atë si ekzistenciale për Shqipërinë. Ai shkon edhe më tej, duke deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga e drejta e vetos nëse Shqipëria pranohet në BE.
“Na fusni në Evropë dhe jam gati të nënshkruaj një marrëveshje ku të thuhet qartë se nuk duam fuqinë e vetos”, deklaron Rama, duke pranuar se vendi ka qenë i detyruar “të gëlltisë shumë bretkosa” gjatë rrugës drejt integrimit.
Në kontrast me kritikat ndaj Brukselit, Rama shfaqet i butë dhe admirues ndaj Donald Trumpit. Ai e sheh zgjedhjen e Trump si një “thirrje zgjimi” për Evropën dhe jo si kërcënim.
“Trump nuk është problemi i Evropës. Ai është një goditje e nevojshme për ta nxjerrë BE-në nga inercia”, thotë kryeministri, duke i dhënë meritë Presidentit amerikan për rikthimin e komunikimit dhe diplomacisë edhe në konfliktin në Ukrainë.
Rama kritikon ashpër qasjen europiane ndaj migracionit, duke e cilësuar stereotipizimin e shqiptarëve si të rrezikshëm dhe duke paralajmëruar për pasojat e imitimit të retorikës së ekstremit të djathtë.
“Kur hyn në garë me të djathtën ekstreme, humbet. Djalli fiton që në momentin që shkel në pistë”, shprehet ai, duke goditur veçanërisht partitë socialiste europiane që, sipas tij, kanë humbur identitetin.
Në intervistë, Rama përpiqet të projektojë imazhin e një lideri vizionar dhe pragmatik në arenën ndërkombëtare, ndërsa në Tiranë vazhdon të përballet me akuza për korrupsion endemik dhe krizë të thellë besimi ndaj qeverisjes së tij.
Pavarësisht vlerësimeve që merr jashtë vendit për stilin dhe retorikën, “damka” e korrupsionit mbetet një hije e pandashme që e ndjek kryeministrin shqiptar, si në politikën e brendshme ashtu edhe në paraqitjet e tij ndërkombëtare.
