
Partia Demokratike është mbledhur në Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa deputetët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në mbledhje, duke bllokuar procesin parlamentar.
Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi për mediat se gjendja e lirë e Ballukut përbën rrezik real për hetimet penale në zhvillim. Sipas tij, ekzistojnë dyshime serioze për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve dhe mundësi për asgjësim ose manipulim të provave.
Bardhi e cilësoi mungesën e deputetëve socialistë si një akt të hapur pengimi të drejtësisë dhe funksionimit normal të Këshillit të Mandateve, duke theksuar se kjo sjellje po ndodh me urdhër politik.
Ai nënvizoi se shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit është urgjent, pasi hetimet ndaj Ballukut po zgjerohen edhe për procedura të tjera penale, çka kërkon reagim të menjëhershëm nga Kuvendi.
Në deklaratën e tij të plotë, Bardhi akuzoi mazhorancën se po fshihet njësoj si personat që i shmangen drejtësisë dhe se pengimi i punës së Këshillit të Mandateve përbën aktin më të rëndë të kryer nga Kuvendi gjatë viteve të demokracisë.
Ai bëri të ditur se SPAK, në kërkesën drejtuar Kuvendit, ka argumentuar se nga përdorimi i metodave speciale të hetimit kanë dalë të dhëna sipas të cilave Balluku ka ushtruar presion ndaj një vartëseje të saj, si dhe ka tentuar të ndikojë tek dëshmitarët. Sipas prokurorisë, gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik të vërtetë për hetimin, për shkak të mundësisë së shkatërrimit të provave dhe ndikimit të paligjshëm në proces.
Bardhi deklaroi se Balluku ka interes të drejtpërdrejtë për zvarritjen e çështjes dhe se pesë anëtarë të Këshillit të Mandateve po veprojnë si zëdhënës të një të pandehure për afera korruptive që, sipas tij, kapin vlerën e 1.1 miliardë eurove.
Në fund, kreu i grupit parlamentar të PD-së njoftoi se pesë anëtarët e opozitës do ta thërrasin sërish Këshillin e Mandateve ditën e premte, në orën 11:00, duke paralajmëruar vijimin e përplasjes politike për çështjen e imunitetit të Ballukut.
