
Kryeministri ka bërë një pranim të fortë publik që hedh dritë mbi mënyrën se si funksionon pushteti ekzekutiv në raport me tenderat publikë. Gjatë një konference për shtyp, Rama deklaroi se ka ndërhyrë personalisht disa herë për biznesmenin e ndërtimit Ramë Geci, duke konfirmuar në thelb dyshimet që prej kohësh janë ngritur në opinionin publik dhe në hetimet e SPAK.
Pyetja erdhi nga gazetarja e Syri TV, Ambrozia Meta, e cila iu referua një pjese të dosjes hetimore të SPAK, tashmë e publikuar në media. Në atë dosje, zëvendëskryeministrja deklaron se kryeministri i kishte kërkuar të zhvillonte një takim me biznesmenin Ramë Geci. Vetëm tre muaj pas këtij takimi, kompania e tij fitoi tenderin për rrugën Porto Romano – Durrës, loti 3, pavarësisht se kishte paraqitur një ofertë më të lartë se konkurrentët e tjerë.
Në përgjigjen e tij, Rama zgjodhi fillimisht të kritikojë publikimin e pjesëve të dosjeve hetimore, duke e cilësuar këtë si keqinterpretim të materialeve procedurale. Por më pas, ai kaloi në një pranim të drejtpërdrejtë.
“Ramë Geci është njeri i nderuar dhe i respektuar, një nga ata që krijojnë punë. Që unë t’u them ministrave tako këtë apo atë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Për Ramë Gecin jam interesuar jo një herë, por dhjetë herë, sa herë ka pasur nevojë për kontakte për punë. Dera ime është e hapur,” u shpreh Rama.
Ky deklarim konfirmon praktikisht se kryeministri ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në raport me një sipërmarrës privat, duke ngritur dyshime serioze se ndërhyrjet nuk lidhen vetëm me një rast të izoluar, por me një model funksionimi të përsëritur në tenderat publikë.
Në këtë kontekst, dilema që kanë pasur qytetarët dhe hetuesit e SPAK – nëse Rama ka ndërhyrë apo jo për tenderat përmes ministrave të tij – merr tashmë një përgjigje të qartë nga vetë kryeministri. Pranimi i “10 ndërhyrjeve” lë të hapur mundësinë e ekzistencës së tenderave të tjerë, përtej atij të Porto Romanos, ku ndikimi politik mund të ketë qenë vendimtar.
Në një tjetër pyetje lidhur me takimet e tij me përfaqësuesit e kompanisë që fitoi tenderin e Tunelit të Llogarasë, Rama deklaroi se ka takuar “përfaqësues kompanish pa fund”, duke shtuar se u ka thënë: “Ç’ke me atë punë, hajdeni në Shqipëri”. Ai mohoi çdo ndërhyrje direkte në procesin e tenderimit, por nuk dha asnjë shpjegim për diferencën e madhe mes tenderit fillestar të anuluar dhe atij të rishpallur, pas takimeve me përfaqësuesit e kompanisë.
Ndërsa Rama vijoi me retorikë dhe lojë fjalësh, pa dhënë përgjigje konkrete për këto diferenca, mbetet fakti se një pranim i tillë publik për ndërhyrje të përsëritura për një biznesmen të caktuar përforcon dyshimet për një sistem ku pushteti politik dhe prokurimet publike ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.
