
Përplasja verbale mes kryeministrit shqiptar dhe homologut të tij grek ka nxjerrë në pah një tjetër prapakthim të Ramës në raport me Greqinë, pas deklaratave që ndezën reagime të forta në Athinë.
Në një intervistë për televizionin grek Alpha, Mitsotakis u shpreh se Rama është një politikan me një stil të veçantë komunikimi, por që shpesh “i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte”. Sipas kryeministrit grek, këtë herë Rama e kuptoi se kishte gabuar dhe bëri një korrigjim të deklaratës së tij. “Tha një fjalë të rëndë, e kuptoi gabimin dhe unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri. Ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas,” u shpreh Mitsotakis.
Reagimi i kreut të qeverisë greke erdhi pas kritikave të ashpra që Rama mori nga mediat greke, lidhur me një koment të bërë ndaj gazetarit greko-amerikan , gjatë një paneli të zhvilluar në Abu Dhabi. Aty, Rama i tha gazetarit se grekët e sotëm nuk kanë monopol mbi filozofinë dhe nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, një deklaratë që u perceptua në Athinë si fyese dhe provokuese.
Një ditë më pas, Rama u detyrua të bëjë prapakthehu, duke sqaruar se fjalët e tij nuk kishin qenë aspak tendencioze, por ishin shprehur në kuadër të një “humori miqësor”. Në një reagim publik, ai u shpreh i habitur nga reagimi i mediave dhe politikanëve grekë, duke thënë se një fjali e shkëputur nga konteksti u kthye në një polemikë publike me tone nacionaliste.
Kryeministri shqiptar theksoi se nuk ka asnjë dyshim se Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe se Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian. Ai shtoi se kultura greke meriton admirim të plotë, jo vetëm për filozofët e lashtësisë, por edhe për kontributin e saj në letërsi, art, kinematografi dhe muzikë. Rama u përpoq të theksonte gjithashtu respektin e tij për popullin grek dhe për Mitsotakis, duke e cilësuar Greqinë një fqinj të pazëvendësueshëm të Shqipërisë.
Megjithatë, polemika ka lënë pas një shije të hidhur. Është e vështirë të kuptohet, siç vënë në dukje edhe kritikët, se si mund të bëhet humor me diçka për të cilën pretendohet se besohet e kundërta. Një gjë, megjithatë, duket e qartë: Rama po shfaq gjithnjë e më shpesh prapakthime në marrëdhëniet me Greqinë, duke u tërhequr pas çdo përplasjeje që shkakton reagime të forta në Athinë.
