Ekzekutim brenda qelisë dhe një luftë që nuk u mbyll kurrë: historia kriminale e Jani Aliajt dhe zinxhiri i hakmarrjeve

0

Vrasja e Jani Aliajt brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalos nuk është një episod i izoluar, por fundi i dhunshëm i një historie kriminale që ka kaluar kufijtë e shteteve dhe ka lënë pas një numër të gjatë viktimash. Ekzekutimi i tij në qeli rikthen në vëmendje një konflikt të vjetër mes grupeve rivale të Tepelenës, i cili për më shumë se 16 vite është ushqyer nga hakmarrja, atentatet dhe përplasjet e pandërprera.

Aliaj ishte një figurë e njohur për autoritetet greke dhe shqiptare. Në Greqi, ai po vuante një dënim të përjetshëm për një vrasje të kryer në Athinë në vitin 2006, si edhe për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, drejtësia shqiptare e kishte dënuar gjithashtu përjetë në mungesë për një tjetër vrasje të bujshme, atë të Elton Çiços, të ndodhur më 1 maj 2016 në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Rrënjët e këtij konflikti shkojnë shumë më herët. Historia nis në vitin 2000 në Greqi, kur një përplasje e dhunshme përfundon me vrasjen me thikë të një të riu, mik i Elton Çiços. Autori i asaj ngjarjeje ishte Jani Aliaj. Ky akt shënoi pikën e parë të një armiqësie që nuk do të ndalej më.

Vite më pas, fati i solli të dy rivalët në të njëjtin burg grek. Edhe aty konflikti nuk u shua. Gjatë një momenti ajrimi, Çiço e plagosi Aliajn, duke e konsideruar aktin si hakmarrje për vrasjen e shokut të tij. Pas lirimit nga burgu, përplasja u zhvendos në Shqipëri, ku rivaliteti mori edhe dimension territorial, sidomos në zonën e Tepelenës, për kontrollin e aktiviteteve kriminale dhe zonave të influencës.

Në pranverën e vitit 2015, situata përshkallëzohet më tej. Familja e Elton Çiços grabitet dhe prindërit e tij dhunohen rëndë. Ky episod shënon një kthesë të fortë në konflikt. Vetëm pak muaj më vonë, në Durrës, ekzekutohet Robert Rama, person i afërt me Jani Aliajn. Edhe pse Çiço u konsiderua nga policia si i dyshuari kryesor, ai nuk u arrestua kurrë për këtë vrasje.

Hakmarrja vazhdoi me atentate me eksploziv. Vëllezërit Ervis dhe Elton Imeri u shënjestruan në dy episode të ndryshme. Njëri prej tyre i shpëtoi për mrekulli atentatit, ndërsa tjetri mbeti i gjymtuar rëndë pas shpërthimit të një bombe në dhjetor të vitit 2015 në Kombinat.

Nga ana tjetër, edhe Jani Aliaj ishte shënjestër e sulmeve. Dy atentate ndaj tij, një në Tiranë dhe një tjetër në Gjirokastër, dështuan të ishin fatale, duke i shkaktuar vetëm plagosje të lehta. Por zinxhiri i dhunës nuk do të ndalej aty. Më 1 maj 2016, Elton Çiço u vra në mes të Tiranës, në një atentat që autoritetet ia atribuan Jani Aliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Pas këtij episodi, përplasjet lanë ende gjurmë. Plagosja e Andi Mustafarait në tetor 2016, një person i njohur si mik i Çiços, u konsiderua nga hetuesit si një tjetër hallkë e së njëjtës zinxhir hakmarrjesh.

Ekzekutimi i Jani Aliajt brenda një burgu të sigurisë së lartë tregon se kjo luftë kriminale nuk ka njohur kufij as mure. Edhe pas dënimeve të përjetshme dhe viteve pas hekurave, konfliktet mbetën aktive, ndërsa në dosjet e policisë, pjesëtarët e këtyre grupeve vazhdojnë të konsiderohen si individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Artikulli i mëparshëmSafeJournalists Në Rolin E Budallait Të Dobishëm Në Teatrin Politik Të Edi Ramës
Artikulli i radhësTensione SHBA–BE për Groenlandën/ Trump i kërkon Europës të shohë nga Rusia dhe Ukraina, jo nga ishulli arktik