
Tensionet janë rritur sërish në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë, ku banorët kanë dalë për të pestën ditë radhazi në protestë kundër ndërtimit të një resorti luksoz. Këtë të premte, protesta ka marrë përmasa më të ashpra, duke çuar në ndërhyrje direkte në kantierin e ndërtimit.
Banorët kanë hyrë në zonën e punimeve dhe kanë nxjerrë punonjësit nga makineritë e rënda, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve. Situata ka sjellë edhe përplasje me forcat e policisë, të cilat kanë qenë të pranishme në zonë për të monitoruar protestën.
Prej disa orësh, aktiviteti në kantier është bllokuar plotësisht, ndërsa protestuesit janë shprehur të vendosur se nuk do të lejojnë vijimin e punimeve. Ata kanë paralajmëruar se do të protestojnë çdo ditë në të njëjtën mënyrë, deri sa kërkesat e tyre të merren parasysh, duke u bërë thirrje edhe banorëve të tjerë të zonës që t’u bashkohen.
Një ditë më parë, banorët protestuan pranë SPAK, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për çështjen. Ndërkohë, ata kanë njoftuar se të hënën në orën 09:00 do të zhvillojnë një tjetër protestë përpara Prokurorisë së Shkodrës, duke e çuar përplasjen me projektin e resortit në një fazë të re përballjeje institucionale.
