Rama Në Përplasje Të Drejtpërdrejtë Me SPAK-un: Imuniteti I Ballukut Nuk Jepet, Paralajmërohet Ndërhyrje Në Ligj

0

Mazhoranca socialiste ka kaluar nga zvarritja procedurale në një përplasje të hapur institucionale me drejtësinë. Kryeministri Edi Rama refuzoi për herë të dytë t’i japë autorizim SPAK-ut për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke sinjalizuar njëkohësisht se qeveria është e gatshme të ndërhyjë në legjislacion për të ndryshuar rregullat e lojës.

Vendimi u parapri nga një mbledhje urgjente e grupit parlamentar socialist. Në mesazhin e shpërndarë më pas, Rama deklaroi se “nuk ka asnjë urgjencë” për të shqyrtuar kërkesën e SPAK pas rënies së masës së pezullimit nga detyra, duke e bërë të qartë se shumica parlamentare do të vazhdojë ta shtyjë vendimmarrjen.

Në fillim, socialistët kushtëzuan shqyrtimin e kërkesës për arrestim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të Ballukut, ndonëse dy çështjet nuk kishin lidhje procedurale. Pas vendimit të Kushtetueses që la në fuqi pezullimin, u prodhua një pretekst i ri: nevoja për ndryshim të ligjit.

Sipas Kryeministrit, po përgatitet një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale për të sqaruar se masa e pezullimit nga detyra nuk duhet të zbatohet për anëtarët e qeverisë, me argumentin se pezullimi “paralizon funksionin dhe institucionin që ata drejtojnë”.

Rregullorja e Kuvendit parashikon se nëse kërkesa për autorizimin e arrestimit të një deputeti nuk votohet brenda tre muajve, ajo konsiderohet e rrëzuar. Në rastin e Ballukut, afati përfundimtar përfundon më 16 mars. Kjo e bën zvarritjen një instrument kyç për neutralizimin e kërkesës së SPAK.

Prokuroria e Posaçme e ka argumentuar kërkesën për masa më të rënda sigurie me pretendimin se ministrja ka ushtruar presion dhe kërcënime ndaj vartësve që kanë dëshmuar në hetim, duke rrezikuar procesin penal.

Për herë të parë që nga krijimi i SPAK, shumica socialiste po ndërton hapur një mburojë politike për të penguar arrestimin e një figure kyçe të qeverisë. Në raste të mëparshme, për zyrtarë të tjerë të lartë socialistë, Kuvendi ka dhënë autorizim pa hezitim.

Kjo sjellje bie në kontrast të fortë me diskursin publik të Kryeministrit, i cili është paraqitur prej vitesh si garant i reformës në drejtësi dhe i integrimit europian. Sot, e njëjta shumicë parlamentare po përdoret për të bllokuar një procedurë penale që prek drejtpërdrejt zemrën e pushtetit ekzekutiv.

Deklarata se “SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet” bie ndesh me veprimet konkrete të mazhorancës, të cilat po prodhojnë një konflikt të hapur institucional. Çështja Balluku nuk është më një dosje individuale, por një provë reale për ndarjen e pushteteve, pavarësinë e drejtësisë dhe besueshmërinë e reformës që qeveria e ka promovuar si shtyllë të shtetit të së drejtës.

Artikulli i mëparshëmDetaje Të Reja Nga Operacioni “Barriera”: Agjentë Të Infiltruar I Blenë Armë Trafikantit Nga Kosova
Artikulli i radhësNdërhyrja Në Kodin E Procedurës Penale Dhe Pasojat Për Parimin E Barazisë Para Ligjit