Berisha: Prag Grushti Shteti Brenda Shtetit, Rama Tentoi Të Bllokojë Drejtësinë

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria ka qenë për dy muaj në pragun e një grushti shteti “brenda shtetit”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur pushtetin ekzekutiv për të bllokuar organet e drejtësisë dhe për të mbrojtur Belinda Ballukun, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzime me tendera publikë.

Në një deklaratë të fortë publike, Berisha tha se Rama ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim mbajtjen në detyrë të Ballukut, e cila sipas tij lidhet me afera të rënda financiare në projektet e tunelit të Llogarasë, Unazës së Madhe dhe rrugës Qukës–Qafë Plloçë.

“Ishim në pragun e një grushti shteti brenda shtetit. Rama prej dy muajsh përdori pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presione të të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë, për të mbajtur në detyrë bashkëautoren e vjedhjeve të qindra milionë eurove dhe për të mbrojtur përgjegjësen e aferës Qukës–Qafë Plloçë”, deklaroi Berisha.

Ai e cilësoi Edi Ramën si kërcënimin më të rrezikshëm për shtetin shqiptar, duke shkuar deri në krahasime me regjimin stalinist të Enver Hoxhës. Sipas Berishës, dëmet që po shkaktohen sot janë më të shpejta dhe potencialisht më shkatërruese se ato të diktaturës komuniste.

“Nëse shekullin e kaluar Shqipëria u mbajt peng për 45 vite, sot vendi po përballet me pasoja akoma më katastrofike, që prej 13 vitesh gërryejnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve. Pasoja që sot kanë sjellë edhe paralajmërimin më ogurzi nga Brukseli për shkak të vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve nga Ramaduro”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se, sipas tij, Bashkimi Europian ka dërguar një sinjal të paprecedentë për Shqipërinë, duke vënë në rrezik të gjithë rrugëtimin 32-vjeçar drejt integrimit europian. Ai deklaroi se opozita ka në dispozicion dokumente që provojnë farsën zgjedhore të 11 majit dhe se qeveria aktuale, sipas tij, funksionon si një narkoshtet.

“Kemi çdo dokument që fakton farsën zgjedhore. E kemi quajtur këtë qeveri të paligjshme sepse e tillë është. Kemi shtatë rezoluta ku partitë kryesore që drejtojnë sot Europën dhe botën pajtohen me këtë fakt. Por jemi treguar të butë, jemi treguar të kursyer me emërtimet tona”, përfundoi Berisha.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, në ditën e protestës së opozitës përballë Kryeministrisë, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm përplasjen mes maxhorancës dhe opozitës mbi çështjen e drejtësisë dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese.

Artikulli i mëparshëmProblemet Me E-Albania, Rrezik Për Stabilitetin Ekonomik
Artikulli i radhësVIDEO/ Opposition Accuses Police of Brutality After MP Injured in Tirana Protest