Dosja “Balluku” në skaner/ SPAK hap telefonat që sekuestroi në kontrollet e festave

0

Hetimet e SPAK për dosjen “Balluku” po kalojnë nga celulari i Ervis Berberit tek celularët dhe laptopët e pjesës tjetër të rrethit të ish-zv.kryeministres, me synimin për të zbuluar gjurmë të reja të dyshuara korrupsioni që mund të shtrihen përtej akuzave aktuale.

Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka autorizuar hapjen e dhjetëra pajisjeve elektronike, përfshirë telefona, laptopë dhe USB. Ky vendim vjen si pasojë e një orientimi të detyrueshëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur që çdo ndërhyrje në komunikime private të bëhet vetëm me leje gjyqësore. Kjo do të thotë se praktikat e mëparshme të zbërthimit informal janë zëvendësuar nga një proces më rigoroz dhe formal.

Gjyqtari Erion Çela ka dhënë autorizimin për të analizuar një volum të konsiderueshëm të të dhënave dixhitale, që deri më tani kishin mbetur të paprekura. Në këtë fazë nuk përfshihen pajisjet e vetë Belinda Ballukut, për shkak të statusit të saj si deputete, por hetimi është përqendruar tek bashkëpunëtorët e saj, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesi të lidhur me projekte publike.

Në fokus janë figura kyçe si ish-drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, dhe ish-administratori i KESH-it, Erald Elezi. Përveç tyre, janë sekuestruar dhe pajisje të disa biznesmenëve që kanë përfituar kontrata me vlerë të lartë në projekte infrastrukturore, duke përfshirë Unazën e Madhe të Tiranës, aksin Kashar–Thumanë dhe tunelin e Llogarasë.

Burime pranë hetimit theksojnë se analiza e këtyre pajisjeve pritet të japë një pasqyrë më të qartë të rrjedhës reale të vendimmarrjeve, përtej dokumentacionit zyrtar. Përvoja në raste të ngjashme ka treguar se komunikimet private shpesh zbulojnë mekanizmat e vërtetë të funksionimit të skemave të dyshuara, përfshirë ndikimin mbi vendimmarrjen politike, raportet me median dhe shpërndarjen e fondeve publike.

Megjithëse hetimi është zgjeruar ndjeshëm, deri më tani nuk ka një rëndim formal të akuzave. Belinda Balluku vijon të hetohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, një akuzë që lidhet me manipulimin e procedurave të prokurimit në projekte me vlerë të konsiderueshme financiare.

Zhvillimet e fundit pritet të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë kjo dosje, ndërsa analizimi i të dhënave dixhitale mund të shërbejë si prova kyçe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.

Artikulli i mëparshëmKryeministri Edi Rama gënjeu për pasurinë e Mirlinda Karçanajt? Zbulohen 4 apartamente dhe një ullishte
Artikulli i radhësSkandal Në KLP / Olger Eminaj Në Qendër Të Aferës Seksuale Që Trondit Sistemin E Drejtësisë