“Me ose pa vaksinë, Shtetet e Bashkuara do të rihapen”. Kështu u shpreh presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa njoftoi një projekt për përshpejtim të përpjekjeve për krijimin e vaksinës, me synimin për të pasur antidotin e mundshëm të Covid-19 në fund të vitit.
Trump e pagëzoi projektin, si operacioni “Warp Speed”, ashtu siç u quajt gara kundër kohës për prodhimin e armëve të para bërthamorë në botë, gjatë luftës së dytë botërore. E megjithatë, ai sqaroi se edhe pa një vaksinë, amerikanët do t’i kthehen jetës normale.
“Synimi është që vaksina e koronavirusit të prodhohet dhe shpërndahet sa më shpejt të jetë e mundur, me gjasë në fund të këtij viti. Por e rëndësishme është, se me apo pa vaksinë vendi do të rihapet”, u shpreh Trump.
Shumë ekspertë dyshojnë nëse vaksina mund të jetë gati brenda një periudhe kaq të shkurtër. Në fjalët e tij, në kopshtin e “Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë, presidenti tha se qeveria amerikane po bashkëpunon me vende të tjera për të zhvilluar me ritme të përshpejtuara një vaksinë kundër koronavirusit, ndërkohë që punohet paralelisht për të përgatitur infrastrukturën për prodhimin dhe shpërndarjen sapo vaksina të jetë gati.
Projekti do të niste me studimin e 14 vaksinave kandidate më premtuese. Ne krye të operacionit, Trump vendosi ish-shefin e sektorit të vaksinave në gjigantin farmaceutik “Glaxo Smith Kline”, Moncef Slaoui dhe gjeneralin Gustave Perna.
Kongresi amerikan ka vendosur në dispozicion rreth 10 miliardë dollarë për projektin.