
Një tjetër lëvizje është regjistruar në strukturat e Policisë së Shtetit në kryeqytet, ku Alban Hoxha është emëruar në krye të Komisariatit nr. 6 në Tiranë. Ai zëvendëson në këtë detyrë Edvin Pecin, në kuadër të riorganizimeve të fundit brenda institucionit.
Emërimi është bërë nga drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si pjesë e një serie ndryshimesh që po prekin strukturat drejtuese në disa nivele. Lëvizja shihet si pjesë e përpjekjeve për ristrukturim dhe forcim të kontrollit në komisariatet e kryeqytetit.
Alban Hoxha vjen në këtë detyrë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, ku ka mbajtur pozicionin e shefit të Sektorit të Krimeve në Volum. Ai ka një eksperiencë të gjatë në radhët e policisë, duke drejtuar më herët struktura të rëndësishme, përfshirë sektorët antidrogë dhe njësitë operacionale.
Në karrierën e tij, Hoxha ka ushtruar funksione drejtuese edhe në qarqe të tjera të vendit, si Fier dhe Shkodër, çka e bën një emër të njohur brenda hierarkisë së Policisë së Shtetit.
Ky ndryshim vjen në një moment kur drejtimi i ri i policisë po ndërmerr riformatime të brendshme, me synimin për të rritur eficiencën dhe kontrollin në terren, sidomos në zonat urbane me problematika të theksuara.
